Kuçi sulmon Ligjin e Shtetësisë: Neni 31 rrezik për demografinë dhe zgjedhjet
Kandidati i LDK-së për deputet, Blerim Kuçi, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të Ligjit të Shtetësisë, duke e cilësuar veçanërisht problematik Nenin 31 të tij.
Sipas Kuçit, ligji është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje në bashkëpunim me Lista Serbe, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen dhe pasojat që mund të ketë në të ardhmen.
Ai thekson se, edhe pse ligji mund të kishte kaluar me shumicë të thjeshtë pa këtë dispozitë, përfshirja e Nenit 31 e bën atë të rrezikshëm. Ky nen parasheh që të gjithë qytetarët e ish Republika Federative e Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm në Kosovë më 1 janar 1998, si dhe pasardhësit e tyre, të kenë të drejtë të fitojnë shtetësinë e Kosovës, pavarësisht vendbanimit aktual.
Kuçi paralajmëron se një dispozitë e tillë mund të mundësojë që individë me të kaluar kriminale apo pjesëtarë të strukturave paramilitare të përfitojnë shtetësi në mënyrë të lehtësuar, së bashku me pasardhësit e tyre.
Ai e konsideron këtë si një rrezik serioz për vendin, duke përmendur mundësinë e një “inflacioni demografik” të ndikuar nga Serbia, manipulim të mundshëm të proceseve zgjedhore, si dhe hapje të çështjeve të mëdha pronësore.
“Ky vendim është i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm,” ka deklaruar Kuçi.
Kandidati i LDK-së ka bërë të ditur se, nëse merr besimin e qytetarëve për deputet, veprimi i tij i parë do të jetë inicimi i një interpelance për të hapur debat parlamentar me synim ndryshimin e këtij ligji. /Kosova.info/
