Kuçi fton qytetarët e Therandës: Bashkohuni për fitoren e përbashkët
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, me numër 47, ka ftuar qytetarët e Therandës që të marrin pjesë në tubimin elektoral që do të mbahet nesër në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”.
Në thirrjen e tij, Kuçi thekson rëndësinë e bashkimit dhe angazhimit qytetar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të dëshmuar forcën e përbashkët.
“Le ta mbushim sallën me energji, shpresë dhe besim për të ardhmen. Kur qytetarët bashkohen rreth vlerave të përbashkëta, asgjë nuk është e pamundur”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai ka theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve është një sinjal i qartë për drejtimin që synohet duke bërë thirrje për unitet dhe mobilizim në funksion të një fitoreje të përbashkët dhe një Kosove më të fortë.
Tubimi pritet të mbledhë simpatizantë dhe mbështetës të LDK-së nga Theranda dhe rrethina, në një nga aktivitetet e radhës në kuadër të fushatës zgjedhore./Kosova.info/
