Kuçi deklarohet i pafajshëm: Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional dhe të reputacionit tim
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot është paraqitur para Dhomave të Specializuara në Hagë, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të. Në një deklaratë të gjatë dhe emocionale, Kuçi theksoi se e sheh aktakuzën si një goditje ndaj dinjitetit të tij njerëzor, profesional dhe reputacionit që ka ndërtuar gjatë më shumë se tri dekadave në shërbim të drejtësisë.
“Sot është një prej momenteve më të errëta për mua si njeri i drejtësisë. Gjithë jetën time kam punuar në ndërtimin dhe respektimin e sundimit të ligjit, si profesor i drejtësisë, kryetar i Komisionit Kushtetues, zv/kryeministër për rend dhe ligj dhe ministër i Drejtësisë,” tha Kuçi.
Ai shtoi se aktakuza ndaj tij dhe përfshirja e tij në të njëjtën çështje me ish-presidentin Hashim Thaçi është e padrejtë. Kuçi theksoi se gjithmonë ka vepruar në përputhje me parimet ligjore dhe nuk ka kryer asnjë vepër penale.
“Nuk kam bërë asnjë vepër penale dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Drejtësia për mua është mision dhe profesion, dhe unë do ta vazhdoj këtë mision edhe në të ardhmen,” shtoi ai.
Hajredin Kuçi shprehu keqardhje për shqetësimet që kjo situatë ka shkaktuar për familjen e tij, kolegët dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar se do të mbetet i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe të vërtetës.
Gjykata Speciale do të vazhdojë procesin gjyqësor për të shqyrtuar akuzat e ngritura ndaj tij.
