Kryetari i Gjykatës Supreme: Jemi kundër vetingut në formën e proklamuar nga Qeveria

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci ka thënë se nuk janë kundër vetingut në drejtësi, por nuk e mbështesin formën e proklamuar nga ana e Qeverisë për zhvillimin e procesit.

Sipas tij, vetingu i menjëhershëm do të sillte dëme për sistemin gjyqësor në përgjithësi, duke shtuar se edhe Komisioni i Venecias nuk është për që ky proces të zhvillohet në formën e prezantuar.

“Qëndrimi jonë ka qenë prej fillimit i qartë, domethënë ne nuk jemi kundër vetingut por jo në vetingun qysh është paramenduar dhe është proklamuar prej Qeverisë në kuptimin e asaj për shkak se me të vërtetë kemi vërejta që nëse bëhet një veting i menjëhershëm, mundet me pas pasoja tjera. Kishin me shkaktuar dëm në sistemin gjyqësor në përgjithësi. Edhe Komisioni i Venecias nuk e parashikon një veting të menjëhershëm, për një kohë të gjatë është bërë një analizë e rishikimit funksional të sundimit të ligjit dhe aty asiston edhe Komisioni i Venecias me opinionin e tyre që duhet të bëhen disa rishikime”, ka thënë Peci.

Kryetari i Gjykatës Supreme ka thënë se lëndët e korrupsionit i trajtojnë me prioritet, ndërsa sa i përket kualitetit, Peci thotë se në vazhdimësi kanë probleme në raport me aktakuzat e përpiluara nga Prokuroria dhe punën e gjykatave.

“Prej vitit 2012 për shkak se kam qenë kryesues i Këshillit Gjyqësor, është në fuqi vendimi i Këshillit Gjyqësor që lëndët e korrupsionit në përgjithësi duhet me qenë lëndë me prioritet. Nuk dallon nivelin e lartë të ulët apo të mesëm, po në përgjithësi është vendim që duhet me i dhënë rëndësi shumë të madhe. Sa i përket kualitetit, në vazhdimësi kemi probleme, kemi pasur vërejtje në akuzat e përpiluara nga Prokuroria, po në të njëjtën kohë ka vërejtje edhe në raport me punën e gjykatave”, është shprehur ai.

Peci ka thënë se brengë e sistemit gjyqësor në vazhdimësi kanë qenë rastet që kthehen në rigjykim. Ai shtoi se për këtë arsye, janë duke shqyrtuar mundësinë për ndryshime të legjislacionit në mënyrë që gjykatat të mos kenë të drejtë që ta kthejnë një rast më tepër se dy herë në rigjykim.

“Ka qenë në vazhdimësi kritikë po edhe brengë e sistemit gjyqësor se shumë raste po kthehen në rigjykim. Jemi duke e shqyrtuar edhe mundësinë ndoshta edhe ndryshime të legjislacionit në kuptimin që gjykatat e nivelit më të lartë mos kanë drejtë më tepër se dy herë me kthyer rastin”, ka thënë ai.

Peci ka thënë se aktualisht kanë në punë 488 lëndë, kurse kanë arritur që t’i përfundojnë 383, përderisa nga ky numër kanë trashëguar 406 lëndë nga viti i kaluar.

Peci ka shtuar se në Gjykatën Supreme aktualisht janë 18 gjyqtarë duke e llogaritur edhe vetë kryetarin.

Kurse në Dhomën e Posaçme, Peci ka shtuar se janë në punë mbi 15 mijë lëndë, përderisa vitin e kaluar kanë kryer 3.000 lëndë.

Go to TOP