Kryesia e Kuvendit vendos për mbajtjen e seancës plenare më 22 shkurt

Kryesia e Kuvendit mbajti sot mbledhjen e radhës, në drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca dhe me prezencë të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Nga Kuvendi bëhet e ditur se kryesia vendosi që me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të enjten, më 17 shkurt 2022, në orën 11:00, Kuvendi të mbajë seancë solemne.

Seanca e rregullt plenare ndërkaq, do të mbahet të martën më 22 shkurt 2022, në orën 10:00.

“Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin nr.08/L-106 për ratifikimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Projektligjin nr.08/L-118 për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit, si dhe Projektligjin nr.08/L-119 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Në rend të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në shqyrtim të parë pritet të shqyrtohen gjithashtu edhe 18 projektligje: Projektligji nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore, Projektligji nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Projektligji nr.08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256, Projektligji nr.08/L-114 për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, Projektligji nr.08/L-103 për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, Projektligji nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, Projektligji nr.08/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-021 për akcizën në produktet e duhanit, Projektligji nr.08/L-074 për Turizmin,  Projektligji nr.08/L-075 për markat tregtare, Projektligji nr.08/L-076 për Mbrojtjen e sekreteve tregtare, Projektligji nr.08/L-108 për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, Projektligji nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Projektligji nr.08/L-112 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-026 për tokën bujqësore, Projektligji nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-197 për kimikate, Projektligji nr.08/L-120 për Ushqim, si dhe Projektligji nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor, të bëhet emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zëvendësimi i disa anëtarëve në komisione parlamentare.

 “Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë, si dhe vendosi që Programi Legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 t’u shpërndahet deputetëve dhe komisioneve parlamentare”, thuhet tutje në njoftim.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP