Kryeministri çek: BE më e fortë nga përfshirja e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fjala deklaroi sot se Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë nga përfshirja brenda tij, e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa siguroi për mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit të plotë

“Në emër të Presidencës Çeke, Këshilli i BE-së uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për këtë gur kilometrik. Ne do të jemi më të fortë nga zgjedhja juaj që është testuar tashmë shumë herë“, tha kryeministri çek.

Kryeministri Fjala vlerësoi edhe qëndrimin e mbajtur nga të dy vendet, ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Duke patur parasysh agresionin rus, ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj për të pasur politikë sigurie të njëjtë me Bashkimin Evropian. Në Evropën e sotme ne duhet të jemi bashkë gjatë gjithë kohës”, tha ai.

Njëkohësisht, Fjala siguroi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetje të mëtejshme në rrugën e integrimit.

“Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë ta mbështesë. Ne kemi nderin që një progres i tillë ndodh gjatë Presidencës sonë. Ne duhet të falënderojmë edhe Presidencën Franceze për punën e tyre që na solli në këtë moment historik”, tha ai.

Sipas tij, Republika Çeke dhe e gjithë Evropa Qendrore e di shumë mire rëndësinë e integrimit evropian, për demokracitë tona, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE dhe për këtë, ju uroj anëtarësim sa më të shpejtë!“, uroi kryeministri Fjala.

Go to TOP