Rama pret një delegacion nga Washingtoni, Prishtina nikoqire e projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story” më 2 korrik
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka pritur sot një delegacion nga Washington, D.C., në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, i cili është pjesë e programit zyrtar të Komisionit Shtetëror të SHBA-së për shënimin e 250-vjetorit të Amerikës.
Sipas Ramës, delegacioni u udhëhoq nga Faton Bislimi, ndërsa pjesë e tij ishin edhe Daniel Serwer, James Pinchotti, Joseph Williams dhe Ruben Marquez.
“Historia e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara vazhdon të frymëzojë brezat dhe të forcojë partneritetin tonë të përbashkët”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
Ai ka njoftuar se, si partner kryesor i këtij projekti në Kosovë, Kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjes më 2 korrik, duke mirëpritur mysafirë dhe personalitete nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova.
“Si partner kryesor i këtij projekti në Kosovë, Kryeqyteti do të jetë nikoqir i ngjarjes më 2 korrik, duke mirëpritur mysafirë e personalitete nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, në një moment që riafirmon miqësinë tonë të veçantë dhe vlerat që na bashkojnë: lirinë, demokracinë dhe partneritetin e qëndrueshëm”, shkroi ai.
