Kritikohen politikat oportuniste dhe fokusi në spektakle
Gazetari i karrierës Ilir Krasniqi dhe analisti Shenoll Muharremi kanë reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në politikën kosovare, duke kritikuar mungesën e përqendrimit në zgjidhjet konkrete për qytetarët dhe shfaqjen e oportunizmit politik.
Ata theksuan se partitë politike, në vend që të adresojnë çështje jetike, po zhvendosin vëmendjen drejt temave spektakolare dhe strategjive afatshkurtra.
Krasniqi: Politika sot i ngjan një transferi futbolli, por me cilësi anonime

Gazetari me karrierë Ilir Krasniqi ka bërë një analizë të ashpër mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke theksuar se sjelljet e reja brenda partive politike po ngjajnë më shumë me transfere futbolli sesa me hapa të mirëfilltë për përmirësimin e gjendjes në vend.
“Përderisa sjelljet e reja në ekipet e futbollit pa dyshim që kanë cilësi të vlerësuara nga publiku, në politikë, për fat të keq, këto sjellje janë anonime për nga cilësia. Aq më tepër kur partia arrin në nivel krahasimi me emisione si Big Brother. Në vend që subjektet të fokusohen te problemet thelbësore, me programe konkrete për zgjidhjen e tyre, ato i orientojnë prioritetet në skena teatrale, muzikore, e çka jo tjetër,” thekson Krasniqi, për Kosova.info.
Ai vazhdon të kritikojë partitë për premtime të pabaza, si rritja e pagave dhe e investimeve për institucione publike, ndërsa për pjesën tjetër të popullsisë, shumica me paga të ulëta dhe kategori sociale, nuk ofrohet asnjë program shprese.
“Sot, pjesa e ekonomisë së vogël dhe të mesme është në prag të falimentimit. Milionat dalin jashtë Kosovës për shkak të mungesës së stafit profesional, sidomos në sektorin e shëndetësisë, i cili është drejt falimentimit për 24 vite. Pavarësisht nga milionët e investuar, shërbimet publike mbeten larg nivelit të kërkuar. Reformat në arsim kanë ngecur dhe po reflektojnë direkt në ekonominë e vendit,” shton ai.
Krasniqi thekson se mungesa e përgjegjësisë është bërë një nga problemet kryesore në politikë, dhe premtimet e reja po përdoren vetëm për të mbajtur votat, jo për të ofruar zgjidhje reale.
“I vetmi premtim real sot është se si do të zgjidhet problemi i qytetarëve për një incizim në qendrën spitalore pa pritur me muaj, si do të përmirësohet përgjigjja e policisë ndaj thirrjeve, dhe a do t’i përmbahen institucionet kritereve të përcaktuara në punësime, apo nepotizmi do të mbizotërojë përsëri.”
Në fund, Krasniqi përmbyll me një reflektim: “Janë qindra pyetje të cilat kanë një emërues të përbashkët, përgjegjësia, e cila mbetet një term i frikshëm për subjektet politike për t’u shprehur në programet e tyre.”
Muharremi: LDK duhet të fokusohet te truri, jo tek spektaklet si Big Brother

Ndërkohë, analisti politik Shenoll Muharremi shprehu habinë e tij kur një parti e rëndësishme si LDK përdori emisionin televiziv Big Brother si pjesë të fushatës së saj elektorale.
Sipas tij, ky veprim tregon oportunizëm dhe mungesë të parimeve të qëndrueshme politike.
“Në vend që të përqendrohen tek truri dhe kapacitetet e brendshme të partisë, ata po ndjekin lakminë për më shumë vota, duke bërë lëshime që dëmtojnë integritetin e tyre politik,” theksoi Muharremi.
Muharremi vuri në dukje se LDK ka burime të mëdha njerëzore brenda saj, me individë me eksperiencë në politikë dhe ekonomi, të cilët mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme për Kosovën.
“LDK duhet të fokusohet në përmirësimin e programeve ekzistuese si ‘Rruga e Re’ dhe të ofrojë alternativa të qëndrueshme për sfidat ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë së vendit,” shtoi ai.
Të dy kritikët theksuan se partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe dhe të sjellin politika që i shërbejnë interesave të qytetarëve, e jo të fokusohen në spektakle të pavlera që kërkojnë të tërheqin vëmendje afatshkurtër. /Kosova.info/
