Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës hap rrugën për një ekosistem inovativ në vend
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me projektin EnInGeP*, sot organizoi ngjarjen “Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës: Prezantimi i gjetjeve fillestare dhe hapat e ardhshëm”. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë, ambasadave, sektorit privat, dhe akademisë, duke krijuar një platformë të pasur për të diskutuar të ardhmen e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë.
Gjatë ngjarjes u prezantua udhërrëfyesi më i detajuar i hartuar ndonjëherë në fushën e inovacionit për Kosovën, i cili është gjithashtu hapi i parë konkret drejt themelimit të Fondit të Inovacionit të Kosovës. Ky dokument shpjegon në detaje se si pritet të funksionojë fondi, si dhe qëllimet e tij kryesore për të mbështetur dhe fuqizuar ekosistemin e inovacionit në vend.
Ky udhërrëfyes thekson ndërtimin e një fondi të qëndrueshëm që do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për inovacionin dhe ndërmarrësinë, duke krijuar një strukturë të mirëfilltë për mbështetjen e bizneseve, projekteve kërkimore dhe sektorëve të rëndësishëm ekonomikë në vend. Fondi synon të jetë një mekanizëm strategjik dhe gjithëpërfshirës që do të ofrojë ndikim afatgjatë dhe përfitime të prekshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ngjarja përfshiu një panel diskutimi të drejtuar nga Kujtim Dobruna, Partner Menaxhues i ECIKS dhe Ekspert i EnInGeP për Fondin e Inovacionit, i cili solli bashkë ekspertë nga fushat e inovacionit, akademisë dhe bankave. Diskutimi u përqendrua shkëmbimin e përvojave nga Austria, me synim të sigurimit të jetëgjatësisë dhe ndikimit të mirëfilltë në ekonominë dhe ekosistemin e inovacionit në Kosovë.
Ministrja e MINT, znj. Rozeta Hajdari, e cila hapi ngjarjen, theksoi rëndësinë e këtij fondi në mbështetjen e zhvillimit teknologjik dhe ekonomik, duke vlerësuar projektin si një gur themel për të ardhmen e qëndrueshme të vendit. “Fondi për inovacion është vendosur në Agjencinë KIESA dhe do të fillojë të funksionojë sapo të aprovohet rregullorja relevante. Duke filluar me fuqizimin e startupeve dhe NMV-ve, ne do të përkrahim rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare në përgjithësi,” përfundoi znj. Hajdari.
Ky hap shënon një moment të rëndësishëm për të ardhmen e inovacionit në Kosovë, duke krijuar bazat për një mbështetje të qëndrueshme që do të ndikojë në zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në përgjithësi në vendin tonë.