Krasniqi: Programi 2025-2029 për Prishtinën me plan financiar të qartë, transport modern dhe fund nepotizmit në kryeqytet
Kosova.info sjell sot për lexuesit intervistën ekskluzive me kandidatin për Kryetar të Prishtinës nga iniciativa qytetare “Prishtina në dorën tënde”, Dr. Agim A. Krasniqi. Me mbi dy dekada përvojë në administratën publike, autor i pesë librave dhe ekspert i njohur për qeverisjen lokale dhe luftën kundër korrupsionit, Krasniqi hyn në garën për kryeqytetin me një program të detajuar 2025–2029, të mbështetur në plan financiar, indikatorë të matshëm dhe vizion të qartë për transformimin e Prishtinës.
Në intervistën për Kosova.info, Krasniqi shpalos planin e tij për një Prishtinë më moderne, të drejtë dhe transparente duke u fokusuar në pesë shtylla kryesore: urbanizëm i ligjshëm, arsim cilësor e digjital, shëndetësi afër qytetarit, ekonomi aktive dhe transport publik modern.
“Qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe politizimi i çdo vendimi. Ne ofrojmë program konkret, të matshëm dhe të bazuar në ligj. Prishtina është në dorën e qytetarëve, jo në duart e interesave të ngushta,” thekson ai.
Në fushën e urbanizmit, Krasniqi paralajmëron auditim të plotë të ndërtimeve, legalizim të 60% të objekteve që plotësojnë standardet dhe ndalim të ndërtimeve të rrezikshme. Po ashtu, për herë të parë, qytetarët do të kenë atlasin urbanistik online, ku çdo hapësirë publike do të jetë e mbrojtur.
Në arsim, kandidati i “Prishtina në dorën tënde” zotohet për depolitizim të shkollave, përzgjedhje me meritë të drejtorëve, testim lokal për cilësinë e mësimdhënies, dhe digjitalizim të shkollave përmes platformës “Shkollat e Prishtinës”. Një tjetër komponent është zgjerimi i çerdheve dhe kopshteve përmes partneriteteve publiko–private.
Në shëndetësi, Krasniqi premton hapjen e tre qendrave të reja të mjekësisë familjare, njësi emergjente mobile dhe kartelë elektronike të pacientit për çdo qytetar duke sjellë kujdes më të shpejtë dhe më efikas.
Në aspektin ekonomik, programi parasheh 100 start-up-e të reja, 500 praktika të paguara për të rinjtë çdo vit, si dhe mbështetje për bizneset lokale e turizmin kulturor.
Në transport publik, Krasniqi planifikon 50 autobusë elektrikë të rinj, korsi të dedikuara, mbikalimin Hajvali-Veternik dhe rikonstruksion të rrethrrotullimeve që nuk përmbushin standardet.
Mjedisi zë një vend të veçantë në programin e tij, me instalimin e paneleve solare në 30 ndërtesa publike, riciklim sistematik dhe mbrojtje të hapësirave të gjelbra.
Sa i përket transparencës dhe luftës kundër nepotizmit, Krasniqi thekson se çdo tender dhe konkurs do të jetë publik dhe çdo qytetar do të ketë qasje në portalin e të dhënave të hapura. “Çdo vendim, çdo tender, çdo konkurs do të jetë publik. Qytetarët do ta kontrollojnë qeverisjen, jo e kundërta,” deklaron ai.
Për rininë, kulturën dhe sportin, ai parashikon 50 projekte rinore çdo vit, 15 fusha sportive të reja dhe ngjarje kulturore ndërkombëtare, që e vendosin Prishtinën në qendër të zhvillimeve artistike dhe sportive.
Për pensionistët, Krasniqi propozon fond pensional komunal, kontrolle mjekësore javore dhe hapësira sociale të posaçme.
Duke folur për financimin e programit, ai thekson se buxheti komunal do të orientohet në prioritetet kryesore, ndërsa grantet ndërkombëtare dhe partneritetet publiko–private do të shfrytëzohen maksimalisht. “Nuk janë dëshira në letër, por plan me llogaritje të qarta,” shton Krasniqi.
Në përmbyllje, ai thekson: “Ky program është kontratë morale me qytetarët. Garantojmë një Prishtinë të qeverisur mirë, transparente dhe të bukur për të jetuar. Prishtina është në dorën tuaj – së bashku e bëjmë qytetin tonë evropian.” /Kosova.info/
