Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti: Koha për zhbllokim institucional dhe qeveri funksionale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar sot se ka pranuar një letër nga Albin Kurti, kryetar i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, me ftesë për një takim para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet nesër.
Në një deklaratë publike, Krasniqi tha se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese duke theksuar nevojën urgjente për zhbllokim institucional dhe rikthim të funksionimit të rregullt të Kuvendit, si dhe për të hapur rrugën për krijimin e Qeverisë së re.
“E inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja,” theksoi Krasniqi duke shtuar se gjetja e një kandidati apo kandidateje që gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.
Ai theksoi se pozita e nënkryetarëve të Kuvendit nuk është pjesë e diskutimit, pasi, siç u shpreh ai, është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë.
Krasniqi nënvizoi se PDK-ja do të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar.
Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do të bëhen publike nesër, përmes një konference për media që do të mbahet gjatë dhe pas takimit me Kurtin. /Kosova.info/
