KQZ sqaron videon në Rahovec: materiali zgjedhor ishte jo-sensitiv

Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shihen dy persona me një kutie votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përmes Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ka ndërmarrë masa për të sqaruar rrethanat e rastit.

Sipas KQZ-së, është evidentuar se ngjarja e paraqitur në video ka ndodhur në perimetrin ku është e vendosur Qendra Komunale e Numërimit në Rahovec, ndërsa materiali zgjedhor që shihet në pamje është material jo-sensitiv, i cili sipas procedurave përkatëse shpërndahet një ditë para ditës së zgjedhjeve.

Institucioni thekson se për verifikimin e plotë të rrethanave ekzistojnë pamje nga kamerat e sigurisë të vendosura në pjesën e jashtme të palestrës sportive, si dhe nga kamerat e qytetit, përfshirë edhe praninë e Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes. Sipas KQZ-së, këto dëshmi konfirmojnë vendndodhjen dhe rrethanat faktike të incidentit.

Për qëllime transparence dhe sqarimi të plotë, KQZ ka bashkangjitur edhe fotografinë e lokacionit ku është realizuar video, nga e cila shihet se ngjarja ka ndodhur në hapësirën e parkingut të palestrës sportive ku është vendosur Qendra Komunale e Numërimit në komunën e Rahovecit.

Go to TOP