KQZ: 88% e fletëvotimeve janë dorëzuar te votuesit jashtë Kosovës
Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nisur me raportimin e kryesuesit të Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala, sa i përket dërgimit të pakove me fletëvotime për votimin me postë jashtë Kosovës.
Ai para anëtarëve të KQZ-së ka bërë të ditur se gjatë dy ditëve, më 16 dhe 17 dhjetor nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit.
Siç tregoi ai, nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës.
Tutje, Buzhala sqaroi edhe statusin e dërgesave që nuk janë dorëzuar deri më tani tek personat që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.
“1,941 dërgesa nuk janë dorëzuar për shkak se votuesi nuk ka qenë në shtëpi në momentin e tentativës së dorëzimit. 2,421 dërgesa janë dorëzuar te korrieri dhe janë në proces për t’u dërguar te votuesit, 2,615 dërgesa janë aktualisht në transit, 208 dërgesa kanë adresë të pasaktë, 17 dërgesa nuk janë dorëzuar për shkak se votuesit kanë ndryshuar adresën dhe 16 dërgesa janë refuzuar nga votuesit”, tha Buzhala.
Tutje, ai ka treguar se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025.
“Planifikohet që gjatë ditës të bëhet nisja e këtyre materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, për në përfaqësitë diplomatike”, tha Buzhala.
Shumë debat aty u bë mes Alban Krasniqit të LVV-së e Arianit Elshanit nga PDK-ja, kur nisi të shqyrtohej pika për plotësimin e ndryshimin e vendimit për Qendrat e Votimit në përfaqësitë diplomatike bazuar në analizën dhe vlerësimin logjistik të MPJD-së, pasi kishte evidentuar se në disa përfaqësi diplomatike kapacitetet e stafit nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve minimale.
Ndërkohë, Krasniqi i LVV-së ka kërkuar që mënyra e votimit të mbetet e njëjtë, madje ka propozuar që si vendvotim të përfshihet edhe Haga, atje ku po gjykohen ish-drejtuesit e UÇK-së.
“Propozim shtesë është që të futet si vend i mundshëm i votimit ajo pjesa me modalitetet për të ndaluarit tanë në mënyrë të padrejtë në Hagë”, tha Krasniqi.
Por, Elshani i PDK-së tha se diferenca e parë është që ky konsiderohet një institucion vendor dhe hyn në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta, njëjtë siç është rasti për institucionet në Kosovë.
“Po flasim për liderët tanë historik për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e të tjerët. Diferenca e parë është që ky konsiderohet një institucion vendor dhe hyn në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta, njëjtë siç është rasti për institucionet në Kosovë. Nuk hyjnë në kategorinë e votimit jashtë Kosovës. Ne kemi kërkuar, kemi insistuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ne sigurisht që do të duhej atje t’i dërgojmë Këshillat e Vendvotimit, komisionerët si subjekte politike, por kanë qenë rregullat e përcaktuara nga Gjykata Speciale”, tha Elshani i PDK-së.
Në replikën e tij, Krasniqi e quajti të pavërtetë faktin se është e rregulluar çështja e votimit në Hagë. “Ne jemi mbledhur e kemi pasur dakordim si ta trajtojmë këtë çështje, i kemi shkelur ligjet për të mundësuar. Po më detyroni ta them publikisht”, tha Krasniqi.
Sipas tij, para kutive të votimit, secili qytetar është i barabartë.
“Nuk ka disa qytetarë, e disa të tjerë. Vëllai im është i burgosur në Kumanovë, kush nuk është interesuar deri tash a ka të drejtë vote ai e trimat tjerë aty. Unë kërkoj, kam kërkuar që të shikojmë për secilin rast kudo që lejojnë Konventat Ndërkombëtare. Unë e mbrojë parimin e së drejtës së qytetarëve që të votojnë dhe të jetë në mënyrë ligjore e jo ilegalisht”, deklaroi Krasniqi derisa biseda mes tyre vazhdoi me tone të larta.
Në fund KQZ-ja vendosi që votuesit e regjistruar të këtyre përfaqësive diplomatike, do të kalojnë për votim me postë.
Anëtarët e KQZ-së mbështetën rekomandimin që votimi të mos zhvillohet në 8-të përfaqësitë diplomatike, dhe të udhëzohen votuesit që të votojnë përmes postës.
“Ankara – Turqi (16 votues), Shkup – Maqedoni e Veriut (14 votues), Kanbera – Australi (10 votues), Abu Dhabi – Emiratat e Bashkuara Arabe (10 votues), Iowa – ShBA (8 votues), Podgoricë – Mali i Zi (6 votues), Tiranë – Shqipëri (4 votues) dhe Tokio – Japoni (2 votues)” ishte vendimi i KQZ-së.
Pas vendimit të ndryshuar, procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 Ambasada dhe 13 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
Ndërkohë në këtë mbledhje është bërë akreditimi i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, përfshirë aty edhe vëzhgues nga Këshilli i Evropës.
