KOSTT-i po merr hua energji për ta furnizuar veriun

Konsumi i veriut të Kosovës, është energjia që shpenzohet në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Me buxhet jashtë tarifor, kjo energji furnizohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, i njohur si KOSTT.

Pas rekomandimeve të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës (aksionar i vetëm i KOSTT) në muajin maj 2021 përmes së cilës KOSTT është autorizuar për shfrytëzimin e buxhetit vetanak për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar, por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, KOSTT ka alokuar buxhet në vlerë të përgjithshme prej 17.7 milion euro për mbulimin e humbjeve për veriun deri me 31 dhjetor 2021.

Pra, pagesën e energjisë elektrike për komunat në veri, nga dhjetori 2020 e deri tash shuma totale është 27 milionë e 806 mijë euro dhe se prej tyre mbi 17 milionë janë paguar nga KOSST-i.

Sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, këto mjete janë ndarë nga fitimet e akumuluara të KOSTT ndër vite, të cilat sipas rekomandimit të aprovuar të Kuvendit të Kosovës do të kompenzohen nga dividenta apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

“Rritja enorme e çmimeve të energjisë në bursë nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2021, ka rezultuar me shpenzimin e buxhetit të alokuar nga ana e KOSTT për mbulimin e humbjeve nga konsumi në veri dhe aktualisht energjia elektrike e cila konsumohet dhe nuk paguhet në veri të vendit, tërhiqet nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. KOSTT si zonë e pavarur rregulluese ka për obligim që këto devijime që shkaktohen në sistemin interkonektiv t’i kompenzojë në fund të muajit”, ka thënë për lajmi.net, Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT.

Ajo thotë se zgjidhja afatgjatë dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të Kosovës, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është mëse e domosdoshme.

Ajo ka treguar se, konsumi i energjisë elektrike në veri të vendit gjatë muajit nëntor 2021 ka qenë 38,670 MWh.

KOSTT gjatë vitit 2020 ka blerë energji për nevoja të balancimit të sistemit në vlerë të prej 24 GWh.

Energjia balancuese është blerë në Ankand ditor (Intraday) të organizuara nga Operatori i Tregut sipas kërkesës së Operatorit të Sistemit dhe në përputhje me Procedurat për tregtimin e energjisë elektrike.

Ndërkohë, sipas parashikimeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike -ZRRE, kërkesa gjithsej pёr energji elektrike në Kosovë për vitin 2021 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6,433.9 GWh. Në këtë kërkesë është planifikuar të merr pjesë:

Kërkesa neto në rrjetin shpërndarjes (amvisëria, ndriçimi publik, bizneset e vogla etj. të kyçura në nivelin e tensionit 35kV, 10kV dhe 0.4kV) është paraparë të jetë = 4230.5 GWh

Humbjet në shpërndarje (përfshihen edhe humbjet e tejkaluara) në vlerën = 990 GWh,

Mihjet = 114 GWh

Trepça = 21 GWh,

Sharr Cem = 69 GWh,

NEW.CO. FERRONIKELI = 429 GWh,

Shpenzimet e gjenerimit nga transmetimi 138 GWh (TC A =108 GWh, TC B= 30 GWh),

Humbjet e sistemit (Konsumi i Veriut të Kosovës)=326 GWh

Humbjet në transmetim në vlerë prej= 113.5 GWh.

Furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore është një problem i pazgjidhur që prej vitit 1999.

Që nga kjo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk kanë paguar për energjinë elektrike që e kanë shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Një kohë, mjetet për të mbuluar energjinë e shpenzuar në veri, KOSTT-i e ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike. Për rrymën e shpenzuar në atë pjesë, nga viti 1999 deri në vitin 2017, janë faturuar për 3.5 për qind më të shtrenjta faturat e qytetarëve në pjesë tjera të Kosovës. Fatura e përbashkët llogaritej deri në 12 milionë euro në vit.

Në fillim të muajit maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me kërkesën e KOSTT-it, për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat veriore.

Përmes këtyre rekomandimeve, Qeveria e Kosovës obligohej që brenda gjashtë muajsh të gjente zgjidhje të qëndrueshme për inkasimin e energjisë elektrike në veri. Por, qeveria nuk arriti ta bënte këtë.

Aktualisht, situata mbetet e njëjtë, porse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 25 nëntor, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se janë duke punuar vazhdimisht për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Për këtë çështje ne jemi duke bashkëpunuar me palët relevante si Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Bashkimi Evropian si fasilitues i këtij procesi, dhe me partnerë të tjerë”, ishte shpreh Kurti. 

Go to TOP