Kosovari i kërkuar në Bullgari ndalet në dalje të Shqipërisë

Një shtetas kosovar është ndaluar në Shqipëri pasi kërkohej nga autoritetet bullgare për tentim vrasje dhe vjedhje.

“Ndalohet në dalje të Shqipërisë, një shtetas kosovar i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet në Bullgari, për tentativë për vrasje dhe për vjedhje në rrethana rënduese”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

“Si rezultat i intervistimeve të detajuara dhe verifikimeve të tjera të kryera me qëllim parandalimin e lëvizjes së kundërligjshme të shtetasve që janë të shpallur në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, Policia e PKK Port Durrës, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Sofias, ndaloi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Bullgari, shtetasin kosovar Z. H., 61 vjeç”.

“Ky shtetas, i dënuar më parë në Bullgari, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e këtij shteti, pasi i është caktuar masë sigurie ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja’, mbetur në tentativë, dhe ‘Vjedhja në rrethana rënduese’. Vijon bashkëpunimi për ekstradimin e 61-vjeçarit, në Bullgari”.

Go to TOP