Kosovarët e mbushin Ulqinin
Njëri ndër destinacionet e kosovarëve për pushime të verës vazhdon të mbetet Ulqini.
Edhe këtë fund jave, por edhe nga Dita e Bajramit numër i madh i turistëve nga Kosova po qëndrojnë në Ulqin.
As pritjet e shumta në kufirin ndërmjet Shqipërisë e Malit të Zi, as rrebeshet e shiut nuk po arrijnë t’i ndalin kosovarët për t’i shijuar plazhet me rërë e me gurë, plazhin e madh dhe të vogël, e pamje të tjera mahnitëse për të vizituar si Kalaja, Valdanosi, pishat, qyteti i Shasit, Ada Bujana, Ullishtja e çka tjetër…
Pos kësaj, Ulqini ofron edhe siguri maksimale dhe ushqime e shërbime të cilësisë së lartë.
Pos me automjete, qytetarë të shumtë vijnë e shkojnë edhe me autobusë.
Zyrtarja e Stacionit të Autobusëve të Ulqinit, Sabina Ruselbegu, tha se janë të përgatitur si ansjëherë më parë për ardhjet e shkuarjet e udhtarëve me autobusë.
“Ne jemi në gjendje gatishmërie gjatë 24 orëve për fluks si në ardhje e po ashtu edhe në dalje të turistëve dhe funksionojmë sipas standarteve të parapara”, tha zyrtarja e Stacionit të Auobusëve.
E pronari i plazhit “MCM”, Hajdar Murati, tregon se janë të kënaqur me numrin e turistëve edhe në këtë fillim korriku, duke shpresuar edhe për rritje të numrit të pushuesve.
Ai tregon se ofrojnë kushte komode për turistët dhe atë me çmime të arsyeshme dhe ushqime cilësore.
Plazhi “MCM beach” posedon mbi 300 shtretër dhe 50 tjera për VIP në plazhin e madh.
Murati tha se edhe sivjet numri më i madh i vizitorëve është nga Kosova, sidomos diaspora e saj.





