Kosova U11 e pesta në Ballkanik, fiton ndaj Greqisë 3:1
Përfaqësuesja e Kosovës në pingpong për grupmoshën U11 ka përmbyllur garën në vendin e pestë në Kampionatin Ballkanik, pas një fitoreje të rëndësishme ndaj Greqisë me rezultat 3:1.
Sipas Federatës së Pingpongut të Kosovës, sportistët kosovarë treguan paraqitje shumë të mira gjatë gjithë kampionatit duke dëshmuar përkushtim dhe karakter garues në arenën ndërkombëtare.
Kontribut të veçantë në këtë sukses dhanë Zana Bllaca dhe Erina Vranovci, të cilat u dalluan me performancat e tyre të shkëlqyera.
Në ndeshjen vendimtare kundër Greqisë, Zana Bllaca zhvilloi një duel të fortë ndaj Damianidao duke triumfuar me rezultat 3:2 – fitore që rezultoi vendimtare për rezultatin e përgjithshëm 3:1 në favor të Kosovës.
Paraqitjet e sportistëve kosovarë konfirmojnë talentin dhe potencialin e madh të pingpongut në vend, ndërsa Federata i ka uruar ata dhe trajnerët për angazhimin dhe rezultatet e arritura. /Kosova.info/
