“Kosova si burg dhe strehë për të padëshiruarit e Europës – KMDLNj paralajmëron rrezik për sigurinë dhe të drejtat e njeriut

Një nga marrëveshjet më të kontestuara në historinë e pasluftës në Kosovë, ajo për dhënien me qira të Burgut të Pasjakut në komunën e Gjilanit për 10 vjet për 300 të dënuar për krime të rënda nga Danimarka, po konsiderohet si veprim i papërgjegjshëm dhe thellësisht i dëmshëm për integritetin territorial, rendin dhe drejtësinë në vend. Sipas KMDLNj, kjo marrëveshje e nënshkruar nga Ministrja e Drejtësisë e ka dëmtuar rëndë Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe ka krijuar një sistem diskriminues korrektues brenda një shteti unitar.

Të gjithë të dënuarit që do të vendosen në këtë institucion janë shtetas të vendeve të treta, dhe asnjëri nuk është danez. Ata do të trajtohen sipas standardeve daneze, ndryshe nga të dënuarit vendorë, të cilët do të vazhdojnë të vuajnë në kushte shumë më të rënda – një padrejtësi që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për trajtimin e barabartë të të burgosurve. Kjo situatë është cilësuar si legalizim i racizmit korrektues dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Për më tepër, KMDLNj ka ngritur këtë shqetësim edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila ka miratuar një rezolutë që i bën thirrje qeverisë daneze ta anulojë marrëveshjen për shkak të shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut.

Kritikat janë shtuar edhe pas deklaratës së fundit të presidentes së Kosovës në një konferencë në Tiranë, ku u vetofrua për të pranuar refugjatë të paligjshëm që janë refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar – pa pasur as kërkesë zyrtare nga ky shtet. Po ashtu, edhe qeveria në detyrë pas një jave deklaroi gatishmërinë për të pranuar këta refugjatë duke thelluar shqetësimet për sigurinë dhe qëndrueshmërinë sociale në vend.

KMDLNj ka paralajmëruar se prania e të dënuarve nga Danimarka dhe e refugjatëve të padëshiruar mund të prodhojë pasoja serioze për sigurinë, të drejtat e njeriut dhe stabilitetin në Kosovë. Kriminaliteti, trafiku me qenie njerëzore dhe narkotikë mund të gjejnë terren të favorshëm në këto rrethana të reja.

Organizata i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar që të ndalojë këto “aventura politike” të presidentes dhe qeverisë në detyrë duke mbrojtur interesin dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.

“Mos lejoni që qytetarët e Kosovës të shndërrohen në qiraxhinj në shtëpinë e tyre,” përfundon reagimi i ashpër i KMDLNj. /Kosova.info/


Go to TOP