Kosova në Panairin e Librit në Leipzig
Nesër nis zyrtarisht Panairi i Librit në Leipzig të Gjermanisë, si një nga ngjarjet kryesore globale që bashkon çdo vit mijëra lexues anë e kënd botës.
Kosova përfaqësohet për herë të katërt me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe kësaj radhe për lexuesit shqiptarë e të huaj sjell mbi 100 tituj librash.
Organizatorët kanë konfirmuar për RTKlive se gjithçka është gati për ditën e nesërme dhe se do t’i presin lexuesit në stendën D410 në sallën numër 4.
Panairi po shihet edhe si mundësi lobimi dhe diplomacie kulturore ndërinstitucionale mes Kosovës dhe Gjermanisë, përtej të qenit një organizim që bashkon dashamirët e letërsisë dhe leximit.
Sivjet, motoja që i prin katër ditëve të organizimit është “Fjalët Lëvizin Botët”, teksa do të zhvillohen ngjarje nga më të ndryshmet.
Disa nga to janë promovimet:
“Letërsia nga Kosova” më 28 mars nga ora 13:30, me autorin Qerim Ondozi dhe botuesen e përkthyesen Feride Berisha, me përkthim nga Zuzanna Finger.
“Kujtesa Individuale dhe Kolektive” më 29 mars nga ora 15:00, me autorin Ag Apolloni, promovim i librit Red Riding Hood: Fairytale for Grown Ups, të përkthyer në anglisht, me përkthim nga Zuzanna Finger.
Në bashkëpunim me rrjetin letrar TRADUKI, Biblioteka Kombëtare organizon panelin e diskutimit:
“Gjuha, Migrimi dhe Letërsia në Kosovë” më 29 mars nga ora 11:00, me autoret Blerina Rogova Gaxha dhe Jehona Kicaj, me përkthim nga Zuzanna Finger.
Radio Televizioni i Kosovës është sponsori medial i ngjarjes dhe do të sjellë për katër ditë me radhë atmosferën dhe zhvillimet nga Leipzigu për shikuesit dhe lexuesit e vet.
