Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili pas shpërthimit të gripit të shpendëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të importit të mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, duke filluar nga data 20 maj 2025. Ky vendim vjen pas konfirmimit të një shpërthimi të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, më 16 maj 2025, nga autoritetet lokale.

Masat janë ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët, dhe në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.

Sipas AUV-së, edhe pse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion tek njerëzit, ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.

Ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e vendeve të tjera, si Bashkimi Evropian, Kina dhe shtete të tjera që tashmë kanë pezulluar importin e mishit të pulës nga Brazili.

Ndalimi do të qëndrojë në fuqi deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve të situatës epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. /Kosova.info/

Go to TOP