Kosova merr mbështetje të plotë nga UIHJ për reformimin e përmbarimit: Oda e Përmbaruesve përmbyll me sukses punimet në Paris
Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen e saj në Këshillin e Përhershëm të Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), i cili u mbajt nga 19 deri më 21 nëntor 2025 në Paris. Delegacioni kosovar, i udhëhequr nga Kryetari i Odës, z. Mehdi Reshani, dhe i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, është kthyer në vend me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për reformimin e procedurave të përmbarimit në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Delegacioni i Kosovës përfshiu gjithashtu z. Kushtrim Metaj, Anëtar i Bordit Ekzekutiv, dhe z. Mervan Zejnullahu, Udhëheqës i Shërbimit Profesional të Odës. Nga Ministria e Drejtësisë mori pjesë znj. Feride Podvorica, Drejtoreshë e Departamentit për Mbikëqyrjen e Ligjshmërisë së Profesioneve të Lira Ligjore.
Në takimet me Presidentin e UIHJ-së, z. Marc Schmitz, delegacionin italian dhe anëtarët e Bordit të UIHJ-së, diskutimet u fokusuan në rritjen e besueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit të përmbarimit në Kosovë. Oda njoftoi se po punon intensivisht për të adoptuar protokolle të avancuara, si projekti “DIGIJUST” dhe iniciativat e reja të drejtësisë të mbështetura nga inteligjenca artificiale, me synim që proceset përmbarimore të bëhen më të shpejta, më transparente dhe më të drejta.
Këshilli i Përhershëm i UIHJ-së mblodhi përfaqësues nga mbi 100 shtete duke trajtuar çështje kyçe që lidhen me përmbarimin civil, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe modernizimin e mekanizmave përmbarimorë. Pjesëmarrja aktive e Kosovës në këtë strukturë ndërkombëtare reflekton një bashkëpunim të konsoliduar mbi dhjetëvjeçar, i cili nisi në vitin 2013 dhe u kurorëzua me anëtarësimin e plotë të Odës në vitin 2021 duke e bërë atë një anëtare të barabartë në kuadër të UIHJ-së.
Oda e Përmbaruesve Privatë të Kosovës konfirmoi gatishmërinë për të marrë pjesë në disa nga ngjarjet e ardhshme të UIHJ-së duke përfshirë Këshillin Pranveror Evropian (Spring European Summit) që do të mbahet në Gjeorgji dhe Kongresin e 26-të Ndërkombëtar të UIHJ-së që pritet të zhvillohet në Lisbonë.
Gjatë sesionit në Paris, UIHJ mirëpriti edhe Kirgistanin si anëtar të ri dhe prezantoi ACDC Itali si anëtare vëzhguese duke theksuar rëndësinë e rritjes së rolit të përmbaruesve gjyqësorë privatë në nivel global. Për Kosovën, pozicionimi si një zë i respektuar në këtë forum ndërkombëtar vlerësohet si dëshmi e pjekurisë së institucioneve të drejtësisë dhe përkushtimit për modernizim të vazhdueshëm. /Kosova.info/
