Kosova i vendos sanksione të reja Rusisë, ja për çfarë bëhet fjalë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sanksionet e reja ndaj grupit kriminal rus, Wagner.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Departamenti i Thesarit ka ndërmarrë masa kufizuese ndaj grupit Wagner, duke përfshirë edhe rrjetin mbështetës global të tyre.

“MPJ-ja propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të qeverisë të marrë më 16 maj 2022, për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga ShBA-ja e që implementohen nga Kosova në raport me obligimet ndërkombëtare ndaj grupit Wagner si dhe bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të tjera që mbështesin fushatës luftarake ruse”, është shprehur Bislimi.

Kujtojmë se ShBA-të sanksionuan tetë individë të këtij grupi, 16 subjekte dhe katër avionë, duke degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës.

Muaj më parë, Kryeminstri i vendit, Albin Kurti pati deklaruar se pjesëtarët e Wagner-it ose ishin prezent në barrikada, ose kishin lidhje direkte me grupet që qëndronin në barrikada.

“Ne i kemi dhënë më shumë kohë KFOR-it, pasi nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullonin njerëzit, që ose ishin drejtpërdrejt të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Wagner-it, pastaj me formacionet paramilitare ‘Ujqërit e Natës’ dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë”, kishte thënë Kurti.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, kohë më parë ka deklaruar se grupi famëkeq “Wagner” po punon me paraushtarakët serbë në kontrabandimin e armëve dhe uniformave ushtarake në Kosovë.

“Ata sjellin armë dhe uniforma, por nuk janë formalisht pjesë e ushtrisë serbe. Serbia dëshiron të arrijë qëllimet e saja pa u quajtur operacion ushtarak”, pohoi e para e shtetit të Kosovës, në një intervistë për gazetën britanike, The Telegraph.

Go to TOP