Konjufca, uron besimtarët për Fitër Bajram: Le të na udhëheqë mirësia dhe solidariteti
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar sot të gjithë qytetarët dhe bashkëkombësit e besimit islam me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Përmes një mesazhi urimi, Konjufca ka shprehur dëshirën që kjo ditë e shënuar të sjellë dashuri, mirësi dhe gëzim në çdo zemër, duke ndriçuar jetët jo vetëm të individëve, por edhe të gjithë shoqërisë sonë.
“Mësimet e sakrificës përgjatë muajit të Ramazanit, që kulmojnë sot në këtë ditë festive e që vijnë me sprovën e kaluar suksesshëm, skalisin shpirtin dhe fuqizojnë virtytin,” ka theksuar Konjufca duke shtuar se këto vlera na udhëheqin drejt një shoqërie më të bashkuar, me më shumë kujdes e solidaritet për ata që kanë më së shumti nevojë.
Në fund të urimit, Kryetari i Kuvendit ka përcjellë dëshirën për shëndet, mbarësi dhe begati në familjet e të gjithë besimtarëve, duke uruar që Bajrami t’i gjejë pranë më të dashurve.
“Gëzuar dhe për shumë vjet Fitër Bajramin, pranë më të dashurve tuaj, me shëndet, mbarësi e begati!”, ka përfunduar Konjufca. /Kosova.info/
