Konjufca takohet me zëvendëspresidentin e MCC-së, vlerësohet bashkëpunimi me Kosovën

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar me zëvendëspresidentin e Operacioneve Kompakte të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit – MCC, Cameron Alford, bashkë me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Bëhet e ditur se në takim u fol për bashkëpunimin aktual mes Kosovës dhe MCC-së, përfshirë çështjen e nisjes së Programit Kompakt multimilionësh për sektorin e energjisë.

”Kryetari Konjufca falënderoi përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe theksoi rëndësinë e projekteve me ndikim pozitiv në mirëqenien e qytetarëve, duke shprehur njëherësh mirënjohje për kontributin e çmuar të MCC-së në ecurinë zhvillimore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi po ashtu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Alford është shprehur i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit, teksa potencoi nevojën e angazhimit të mëtejshëm për realizimin e projekteve zhvillimore, në linjë me avancimin e kuadrit legjislativ që mbështet investimet.

”Takimi u vlerësua si një rast i mirë për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin në drejtim të qëllimeve të përbashkëta për zhvillim të gjithmbarshëm”, thuhet tutje në njoftim.

Go to TOP