Konjufca: Me Zupançiq biseduam për çështjet që prekin vendet tona, e falënderova për mbështetjen e palëkundur

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u takua me homologen e tij sllovene Urshka Klakoçar Zupançiq.

Në një konferencë të përbashkët, Konjufca tha se me homologen e tij sllovene folën për çështjet që prekin dy vendet, si dhe u shpreh falënderues për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë ndaj Kosovës.

Ata biseduan edhe për sfidat aktuale, e në veçanti për sfidat e sigurisë.

“Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, zonjën Zupançiq në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona”, tha Konjufca.

“Kjo është vizita e parë në nivel të kryetarëve të Parlamenteve që bëhet nga Republika e Sllovenisë”.

“Kryetares Zupançiq i urova mirëseardhje dhe e falënderova për mbështetjen e palëkundur që shteti slloven i jep Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme sidomos në ato integruese”.

“E zhvilluam një bisedë shumë miqësore për shumë çështje që prekin shtetet tona për bashkëpunimin e deritashëm dhe nevojën për thellimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi e posaqërisht mes dy Kuvendeve tona”.

“E njoftova kryetaren Zupançiq për zhvillimin që e ka bërë Kosova në zhvillimin shoqëror e ekonomik gjatë viteve të fundit. E falënderova që Sllovenia e përkrahu procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës pa asnjë kushtëzim”, u shpreh kryeparlamentari.

“Njëkohësisht e shpreha mirënjohjen e madhe që na jep shteti slloven për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Mbështetja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë kolektiv ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.

“Biseduam edhe për sfidat e sigurisë, pas agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe implikimet e tij në Ballkan”.

“Kosova dhe Sllovenia fuqishëm janë të drejtuara në anën e lirisë dhe të sovranitetit të Ukrainës”.

Go to TOP