Konjufca: Austria, një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit evropian të Kosovës

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në pritjen solemne në nderim të Ditës Kombëtare të Austrisë, e organizuar nga ambasada austriake në Prishtinë.

Në fjalën e tij, i pari i kuvendit tha se Austria është një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Duke vënë në pah rolin dhe mbështetjen e Austrisë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, kryetari Glauk Konjufca tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është rritur dhe forcuar gjatë viteve, përfshirë këtu fushën e ekonomisë, kulturës, arsimin, si dhe shumë sektorë të tjerë”.

“Tutje, kryetari Konjufca theksoi se rezultat i këtij thellimi dhe zgjerimi të marrëdhënieve është Agjencia e Zhvillimit të Austrisë, e cila ka mbështetur shumë projekte zhvillimore në Kosovë, që kanë çuar në investime dhe punësim”, thuhet në njoftimin e kuvendit.

Më tej, Konjufca tha se Kuvendi i Kosovës dhe ai i Austrisë kanë marrëdhënie produktive dhe shumë të mira, teks përmendi edhe grupet parlamentare të miqësisë.

“Kreu i Kuvendit theksoi se partneriteti mes dy vendeve tona është dhe duhet të shërbejë si shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një burim frymëzimi për të ardhmen”, thuhet tutje në komunikatë.

Go to TOP