“KonicaFest” në nder të 70 vjetorit të themelimit të ShFMU “Faik Konica”

Sot është dita e dytë e festivalit “KonicaFest” e cila po organizohet në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (ShFMU) “Faik Konica”, në Prishtinë, në nder të 70 vjetorit të themelimit të kësaj shkolle.

Jehona Oruqi, drejtoreshë e ShFMU-së “Faik Konica”, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se ky festival çdo vit ka nga një temë të caktuar.

“Çdo vit festivali ka një temë e cila përcaktohet nga këshilli i nxënësve ne bashkëpunim me mësimdhënësit dhe gjatë tërë vitit trajtohet ajo temë. Këtë vit pasi që është 70 vjetori i themelimit të shkollës ‘Faik Konica’, ne kemi vendosur që gjatë tërë vitit të punohet tema Faik Konica”, tha Oruqi.

Tash e tre vjet ky festival organizohet në dy ditët e fundit të majit ose të fillimit të qershorit. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një program artistik nga nxënësit e nivelit 6-9, ndërsa sot programi do të zhvillohet nga nxënësit e nivelit 1-5 dhe gjithashtu do të bëhet ndarja e trofeve në garat e futbollit dhe të basketbollit, pasi zhvillohen ndeshjet finale.

“Unë jam shumë e kënaqur, pasi ideja për realizimin e festivalit ka buruar nga nxënësit. Tani jam shumë e gëzuar sepse ky festival po fillon të shndërrohet në traditë”, u shpreh Oruqi.

Go to TOP