Konfirmohet lajmi i Kosova Info: Edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë kërkon dorëheqjen e Abdixhikut
Është konfirmuar lajmi i raportuar nga Kosova Info se edhe Dega e Dytë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, e njohur si “Qyteti i Vjetër”, ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, raporton Kosova.info.
Përmes një deklarate publike, Dega e Dytë vlerëson se LDK-ja po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj dhe se humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore kanë çuar partinë drejt margjinalizimit politik.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet në deklaratë.
Sipas këtij reagimi, Kosova po përballet me stagnim ekonomik, izolim ndërkombëtar, polarizim politik dhe zbehje të raporteve me aleatët strategjikë, ndërsa LDK-ja duhet të rikthehet si një forcë e fuqishme politike me orientim të qartë euroatlantik.
Dega e Dytë thekson se askush nuk duhet të përjashtohet nga përgjegjësia për rezultatin zgjedhor, por shton se “adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë”.
Në deklaratë kërkohet gjithashtu hapja e një procesi të ri demokratik për zgjedhjen e lidershipit të ri të partisë, duke argumentuar se LDK-së i nevojiten energji të reja, struktura të rifuqizuara dhe rikthim i besimit të anëtarësisë dhe qytetarëve.
Kjo është dega e tretë e rëndësishme e LDK-së që kërkon publikisht dorëheqjen e Abdixhikut pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Më herët, të njëjtën kërkesë e kanë bërë edhe degët e partisë në Pejë dhe Lipjan, duke shtuar presionin ndaj kreut aktual të LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, duke siguruar 16.69 për qind të votave, përkatësisht 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
