Edhe Dega II e LDK-së në Prishtinë pritet të kërkojë dorëheqjen e Abdixhikut
Gazetar/ Perparim Beqiri
Pakënaqësitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë të shtohen pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit. Pas degëve në Pejë dhe Lipjan, edhe Dega 2 e LDK-së në Prishtinë, e udhëhequr nga nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, është duke mbajtur mbledhje dhe po kërkon dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, njofton Kosova.info.
Më herët gjatë ditës, degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan, të drejtuara nga Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, kërkuan publikisht përgjegjësi nga lidershipi i partisë për rezultatin zgjedhor, duke vlerësuar se dorëheqja është akt moral dhe politik.
Në reagimin e Degës së Pejës u tha se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja e partisë, ndërsa Dega e Lipjanit kërkoi dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si standard të përgjegjësisë politike dhe reflektim ndaj mesazhit të qytetarëve të dhënë përmes votës.
Sipas burimeve brenda LDK-së, edhe Dega 2 në Prishtinë është mbledhur për të diskutuar rezultatin zgjedhor dhe gjendjen aktuale në parti, ku është kërkuar dorëheqja e kryetarit Abdixhiku.
Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit, duke marrë 16.69 për qind të votave, ose 135 mijë e 567 vota, që i sigurojnë 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Rezultati ka nxitur reagime të shumta brenda partisë. Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar rikthimin e LDK-së te elektorati tradicional dhe vlerat e saj themelore, ndërsa Arben Gashi ka vlerësuar se një LDK me 16 për qind të votave nuk mund të konsiderohet rezultat normal për partinë që historikisht ka qenë një nga forcat kryesore politike në vend.
