Konferenca B2B synon forcimin e bashkëpunimit me diasporën
Biznese të shumta nga diaspora dhe kompani vendore janë mbledhur në Prishtinë në konferencën ekonomike B2B të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare.
Kryetari i rrjetit, Omer Nura, tha se konferenca synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, tërheqjen e investimeve nga diaspora, si dhe rritjen e prodhimit dhe eksportit të produkteve vendore.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova është e gatshme për transformim industrial dhe për rritjen e investimeve nga diaspora.
Ajo theksoi se forcimi i ekonomisë dhe zhvillimi industrial përbëjnë edhe çështje të sigurisë kombëtare.
Në këtë konferencë morën pjesë liderë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, të cilët vlerësuan rëndësinë dhe qëllimin e kësaj ngjarjeje ekonomike.
Konferenca u shoqërua edhe me prezantime të produkteve vendore, takime B2B dhe nënshkrime marrëveshjesh ndërmjet shoqatave të ndryshme biznesore.
