Komuna e Prishtinës zotohen për pagesën e borxhit ndaj KRM “Pastrimi” – 2.5 milionë euro brenda dy javësh

Ndërmarrja rajonale “Pastrimi” ka bërë të ditur se ka marrë një zotim zyrtar nga Komuna e Prishtinës për pagesën e mjeteve të grumbulluara nga qytetarët për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, një shërbim që ndërmarrja e ka ofruar pa ndërprerje për më shumë se katër muaj.

Ky obligim financiar është i konfirmuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, e cila njeh vlefshmërinë e kontratës në fuqi si dhe punën e kryer nga “Pastrimi”. Po ashtu, rikujtohet se rregullorja e Kuvendit Komunal, e validuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, përcakton që pagesat për mbeturinat të bëhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi”.

Në kuadër të këtij zotimi, Komuna është zotuar që përmes ndërmjetësimit apo procedurës gjyqësore të bëjë pagesën e detyrimit financiar prej 2.5 milionë euro ndaj ndërmarrjes “Pastrimi”, më së largu brenda dy javësh.

Nga ndërmarrja theksohet se ky zotim duhet të formalizohet dhe të nënshkruhet sa më parë, në mënyrë që të garantohet stabiliteti financiar, të mbrohen të drejtat e punëtorëve dhe të sigurohet ofrimi pa pengesa i shërbimeve për qytetarët e Prishtinës.

KRM “Pastrimi” ka falënderuar punëtorët e saj për përkushtimin dhe qytetarët për mirëkuptimin dhe përkrahjen në këtë periudhë të vështirë, duke ritheksuar angazhimin për ofrim të shërbimeve me standarde të larta dhe pa ndërprerje. /Kosova.info/


Go to TOP