Komuna e Prishtinës reagon pas protestës për qentë endacakë: I kemi larguar nga rrugët dhe u kemi siguruar strehim e trajtim

Pas protestës së organizuar sot nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në kryeqytet, ku u kërkua trajtim më i mirë për qentë endacakë, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat dhe duke sqaruar procesin e menaxhimit të tyre.

Drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Brestovci, tha për KosovaPress se mbi 1 mijë e 300 qen janë larguar deri tani nga hapësirat publike duke theksuar se ky veprim ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës së tyre. Ai theksoi se për herë të parë këta qen po gëzojnë strehim, ushqim të rregullt dhe përkujdesje veterinare.

“Është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhte atyre kafshëve, që jetonin pa faj në rrugë, pa kulm mbi kokë, ushqim apo kujdes mjekësor. Sot ata janë nën mbikëqyrje profesionale, me higjienë dhe trajtim të duhur”, tha Brestovci.

Ai theksoi se ky aksion ka ndikuar pozitivisht edhe në sigurinë publike duke sjellë një rënie të ndjeshme të kafshimeve ndaj qytetarëve.

“Në vitin 2024 kemi pasur mbi 500 kafshime të raportuara. Këtë vit, numri është shumë më i vogël. Synimi ynë është që deri në fund të vitit të largojmë 2 mijë qen nga hapësirat publike”, shtoi ai.Duke iu përgjigjur kritikave për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike, Brestovci sqaroi se Komuna ka vendosur të subvencionojë adoptuesit e qenve në mënyrë që ata të mos kthehen sërish në rrugë.

“Ne nuk kemi dashur të përsërisim praktikat e mëhershme ku qentë sterilizoheshin dhe ktheheshin në rrugë. Kemi vendosur t’i japim për adoptim me mbështetje financiare për mirëqenien e tyre afatgjate. Ekziston edhe një komision që inspekton çdo tre muaj gjendjen e tyre”, theksoi Brestovci.

Ndërkohë, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve organizoi protestën me moton “Kjo s’është dashni, është tregti, qytetarë nga xhepi, komuna për qejfi” duke akuzuar Komunën për mungesë transparence dhe për keqtrajtim të qenve.

Protestuesit marshuan nga sheshi “Skënderbeu” deri te objekti i vjetër i komunës duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: “Qentë janë jetë, jo problem”, “Drejtësi për qentë”, “Ndal mizorisë”, dhe “Nora, ke përgjegjësi ligjore për mirëqenien e qenve”.

Komuna e Prishtinës thotë se do të vazhdojë me aksionin e largimit të qenve endacakë deri në përfundim të këtij viti dhe garanton se të gjitha kafshët trajtohen me kujdes profesional. /Kosova.info/

Go to TOP