Kompanisë i shkëputet kontrata – Ura në Gllamnik të Podujevës nuk do të ndërtohet deri në vitin 2022

Në fshatin Gllamnik të Podujevës, ura e cila ka filluar të ndërtohet para gjashtë muajve, ende ka mbetur e papërfunduar duke iu shkaktuar probleme qarkullimi banorëve të këtij fshati.

Reshjet e fundit të shiut e borës kanë bërë që qarkullimi të vështirësohet edhe më tepër, pasi që edhe lumi ka dal nga shtrati pikërisht në këtë pjesë ku është duke u ndërtuar ura.

Krejt kjo ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së punimeve në urë. Kompania që kishte fituar tenderin në vazhdimësi ka marrë vërejtje për mos kryerjen e punimeve siç edhe ishte e paraparë në tender.

Së fundmi konsorciumit “I&B group” dhe “Shpk BRT” i është shkëputur kontrata.

“Arsyeja e shkëputjes së kësaj kontrate vjen si pasojë e mos realizimit të punimeve konform kushteve të kontratës. Përkundër vërejtjeve të shpeshta për neglizhencën e punimeve nga ana e menaxherit të kontratës për mos përmbushje të kontratës nga ana e operatorit ekonomik, ai nuk ka ndërmarrë masa për të vazhduar mëtutje në  realizimin e punimeve dhe përmbushjen e kontratës”, shkruhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Podujevës.

Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me Komunën e Podujevës, e cila ka thënë se kompania “I&B group” dhe “Shpk BRT”, me të cilën kanë bërë marrëveshje për këtë projekt e ka lënë në gjysmë ndërtimin e kësaj ure.

“Kompania fituese e këtij tenderi ka nënshkruar kontratën me datën 27.07.2021 dhe afati i punimeve në këtë projekt ka qenë deri me datën 10 tetor, por me kërkesë nga ana e OE është shtyrë afati i punimeve edhe për disa ditë, por përkundër kësaj OE është treguar i papërgjegjshëm duke filluar punimet vetëm në ndërtimin e urës në fshatin Gllamnik edhe atë e ka lënë në gjysmë”, kanë thënë zyra për informim në Podujevë.

Kjo gjendje nuk pritet të rregullohet të paktën deri në vitin e ardhshëm, pasi që komuna ka deklaruar se tanimë do të bëhet përmbyllja e buxhetit për këtë vit, andaj ky projekt pritet që të ritenderohet gjatë vitit 2022.

“Meqenëse jemi në përmbyllje të pagesave për këtë vit buxhetor, pothuajse është e pamundur të lidhet kontratë e re. Andaj, jemi të obliguar në vitin e ardhshëm të ritenderohet ky projekt dhe deri atëherë nuk mund të realizohet”, ka thënë Komuna e Podujevës.

Për problemet që po u shkakton mosfinalizimi i kësaj ure ka treguar edhe Mehmet Mehmeti, banor i këtij fshati, duke thënë se shkaku ka qenë moskryerja e punimeve.

“Shkaku ka qenë prishja dhe moskryerja e punimeve në urë”, ka thënë ai.

Ndërsa një banor tjetër i këtij fshati ka thënë se po ju duhet që të përdorin rrugë të tjera alternative, për qarkullim.

“Na duhet me shku në rrugë alternative për me dal me shku në punë, e nxënësit në shkolla”, ka thënë ai.

Go to TOP