KOMF i kërkon MSH-së licencimin në ofrimin e shërbimeve shëndetësore
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare, ka adresuar drejt ministrit të Shëndetësisë sfidat e organizatave joqeveritare në ofrimin e shërbimeve shëndetësore si pasojë e mosrregullimit të statusit të tyre në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Në një njoftim për medie, KOMF bën të ditur se që prej më shumë se 20 vitesh, pjesa dërrmuese e shërbimeve për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara ofrohen nga organizatat joqeveritare, pa pagesë, e të mbështetura kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë.
“Këto shërbime ofrohen në kuadër të qendrave ditore të specializuara dhe të menaxhuara nga organizatat joqeveritare, të cilat në baza ditore ofrojnë për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, shërbime rehabilituese të profilit shëndetësor sikurse fizioterapi, ergoterapi, logopedi, seanca psikologjike individuale dhe grupore, etj”, thuhet në njoftim.
KOMF sqaron se një mori e shërbimeve shëndetësore ofrohen nga organizatat joqeveritare me një përvojë të gjatë dhe profesionistë të kualifikuar për fëmijët dhe të rriturit përdorues të substancave narkotike, fëmijët në situatë rruge, fëmijët nga komunitetet e margjinalizuara, etj.
Më tej KOMF njofton se rreth 50 organizata joqeveritare ofrojnë shërbime të integruara të profilit shëndetësor dhe social.
Megjithatë këto organizata nuk janë të licensuara si ofruese të shërbimeve shëndetësore, për shkak të supozimeve për mangësi ligjore në kuadër të Ligjit për Shëndetësi e që vlerësohet se ka dispozita kontradiktore, rreth ofrimit të shërbimeve shëndetësore nga organizatat jo qeveritare dhe licensimit të tyre.