Kolona të gjata në kufi, bashkatdhetarët detyrohen të presin deri në tri orë

Bashkatdhetarët të cilët janë nisur drejt Kosovës janë duke u detyruar të presin deri në tri orë për të hyrë në Kosovë, kjo pasi në vendkalimet kufitare me Serbinë janë krijuar kolona të gjata.

Kolonat më të gjata janë krijuar në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Sipas të dhënave të fundit të publikuar në ora 11:25 nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar thuhet se kolonat në hyrje te Dheu i Bardhë arrijnë deri në 1000 metra, dhe se hyrja në territorin e Kosovës përmes kësaj pike zgjatë deri në 2 orë.

Kurse, bashkatdhetarët që janë duke shfrytëzuar pikën kufitare Merdare, detyrohen të presin deri në 3 orë.

Gjendja në vendkalimet tjera kufitare është e qetë dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që duan të hyjnë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare duhet të paraqesin testin negativ për coronavirus, në qoftë se nuk kanë dëshmi të vaksinimit.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ua rikujton udhëtareve se dëshmia e vaksinimit do të kërkohet nga Policia.

Ndryshe në masat anti-COVID të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 01 dhjetor thuhej se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;

-Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

-Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij (Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19), thuhej në vendim. 

Go to TOP