Kolapsi në RTK
Shkruan: Bajram MJEKU
Radiotelevizioni i Kosovës, nuk është buzë kolapsit, ai tash disa muaj veç ka kolapsuar. Shqetësimi se rreth 900 punonjës të RTK-së mund të mbesin pa paga është real dhe siguria financiare e familjeve të tyre është në dorën e Kryeministrit në detyrë, derisa themeluesi dhe financuesi i Radiotelevizionit të Kosovës që nga 9 shkurti i këtij viti është në vdekje klinike.
Radiotelevizioni i Kosovës që nga paslufta ishte në gjendje të keqe. Mjafton të kalosh afër objektit të Radio Kosovës, që dikur ishte ikona e kryeqytetit dhe t’i shohësh shkallët e shkatërruara të tij, derisa ditën për diell mund t’i thyesh hundë e buzë! Pamja e vrazhdë e objektit flet se brenda këtij institucioni të rëndësishëm informativ, as ka vullnet, as kreativitet për të bërë diçka të dobishme për Transmetuesin publik.
Për dhjetë muaj e njëzetekatër ditë sa isha anëtar i Bordit të RTK-së, më saktë nga gushti i vitit 2020 deri në korrik të vitit 2021, gjendja në Transmetuesin publik edhe atëherë ishte dramatike. Qysh në mbledhjen e parë të Bordit, kur diskutova se mund të bënim punë të mira brenda këtij institucioni, njerëzit përreth shikonin me habi dhe diskutimet e mia tingëllonin njësoj si t’i thuash ujkut; kujdes, mos e sulmo vathën!
Në Radiotelevizionin e Kosovës ka gazetarë të mrekullueshëm e kreativ, të cilët kanë potenciale për ta normalizuar Transmetuesin publik. Ata jo vetëm nuk kanë mundësinë të bëjnë ndonjë punë të mirë aty, por janë të anatemuar e të kërcënuar dhe çdo çast edhe mund të dëbohen nga vendet e tyre të punës! Nuk mjafton të thuash se gjendja në RTK ishte keq gjatë njëzet viteve të kaluara dhe të vajtosh të kaluarën. Është në duart e atyre, të cilët kanë premtuar se në të gjitha institucionet e Kosovës gjendja do të ndryshojë magjishëm për të mirë!
Pavarësisht gjendjes aktuale në Kuvendin e Kosovës, e ardhmja e Trasmetuesit publik nuk jep shpresë dhe ringritja e këtij institicioni varet kryekëput nga vullneti politik i deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Kur në korrik të vitit 2021 u shkarkuam në mënyrë arbitrare, kreatorja dhe koordinatorja e shkarkimit tonë (emrin e së cilës më vjen ndot ta përmend), ishte dy herë shkelëse flagrante e Kushtetutës. Tash pasi ka ndërruar edhe partinë politike, pothuajse çdo javë bën deklarata publike si gardiane e Kushtetutës. Çfarë ironie!
Çka më tej?! Tre anëtarët e mbetur të Bordit të RTK-së, të cilët marrin paga jo të vogla dhe koti, do të duhej të jipnin dorëheqje, sikur të kishin minimumin e moralit njerëzor. Ata tash disa muaj, nuk mund të bëjnë as kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta të Bordit të RTK-së dhe pos ndjesisë së zhvatjes, a thua pse vazhdojnë të qëndrojnë aty? Pas këtij veprimi simbolik dhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputetët do të duhej t’i trajtonin seriozisht dy çështje; ose ta rithemelojnë Transmetuesin publik, ose ta shuajnë fare, pasi vetëm kjo mënyrë e funksionimit të RTK-së, as ka funksion, as normalitet.
