Kosovë, hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2022”

Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), është hapur në Qendrën e Panaireve në Shkabaj “Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2022”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë panair ndërmarrjet do të kenë mundësinë të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre si dhe të njoftohen me mundësitë e zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e huaja.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, në ceremoninë hapëse, tha se panairi po hapet pas dy vitesh të mos organizimit të tij, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ai tha se pandemia e COVID-19 dhe inflacioni i fundit kanë prekur ekonominë evropiane e rrjedhimisht edhe atë të Kosovës dhe panairi synon të kontribuojë në rimëkëmbje.

“Këtë vit i kemi rreth 100 pjesëmarrës, synojmë që vitin tjetër ta dyfishojmë këtë numër e pse jo të kemi edhe panaire sektoriale të cilat kanë filluar edhe të mbahen në Kosovë gjë që është shenjë e mirë. Vetëm këto ditë i kemi dy panaire të turizmit, pra është edhe një shenjë e kthimit të ekonomisë së vendit”, theksoi Rukiqi.

Ministrja e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Qeveria po punon për politika të qarta industriale dhe reforma strukturore për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë si dhe në reformat juridike që sjellin më shumë siguri.

“Kosova është shumë e pasur në aspektin e mineraleve, të natyrës, në aspektin e resurseve njerëzore që është faktori kryesor në zhvillimin ekonomik dhe ne duhet të sjellim në pah këto potenciale dhe zhvillimin e vendit tonë, qëndrueshmërinë e vendit tonë. Të sjellim më shumë vende pune në vendin tonë, me përcjellje të stabilitetit dhe më shumë eksporte”, tha Hajdari.

Panairi i cili do të mbahet nga data 5 deri më 8 maj 2022, vjen me një gamë të gjerë ekspozuesish vendor, rajonal dhe ndërkombëtar të sektorëve të ndryshëm nga gastronomia, veshmbathja, materiali ndërtimor, bankat, sporti, e të tjerë, duke synuar mbështetjen dhe zhvillimin e çdo sektori të ekonomisë.

Go to TOP