Kodra e Diellit mes borës së bollshme dhe mungesës së parkingjeve

Problemi i hapësirës së vogël për parkim është i pranishëm edhe në Kodrën e Diellit në Malësinë e Tetovës, pikë turistike që vizitohet nga shumë adhurues të turizmit dimëror. Zgjidhja e këtij problemi të kahmotshëm pritet të vijë me ndërtimin e teleferikut të ri nga Tetova deri në Kodrën e Diellit.

Kodra e Diellit mbetet një nga qendrat më të bukura turistike dimërore në Malësinë e Tetovës. Terrenet e gjata të skijimit, të mbuluara me borë, si dhe ski-ashensorët që çojnë drejt shtigjeve të ndryshme, e kanë bërë këtë qendër të vizituar edhe këtë dimër nga një numër i madh turistësh.

“Po kalojmë shumë mirë. Skiliftat janë të gjithë në funksion. Stazat janë shumë mirë të rregulluara dhe koha është e mirë, nuk po presim gjatë”, thekson një qytetar i intervistuar.

“Tani bora ka rënë, është e butë dhe nuk ka akull. Është shumë mirë për skijim”, tha një tjetër qytetar.

Edhe të intervistuarit e tjerë u shprehën të kënaqur me terrenin dhe bukuritë që ofron Kodra e Diellit në Tetovë.

Nga Drejtoria e Qendrës së Skijimit theksojnë se bora është me bollëk dhe se të gjithë ski-ashensorët janë në funksion.

“Sa u përket ski-ashensorëve, të gjitha pistat janë në funksion dhe presim mysafirët. Jemi të përgatitur për skijim për të gjithë. Kemi vizitorë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit”, tha Gani Aliji, drejtor i Qendrës së Skijimit ‘Kodra e Diellit’.

Për turistët që vizitojnë Kodrën e Diellit, problem mbetet hapësira e vogël për parkim. Drejtuesit e kësaj qendre zgjidhjen e këtij problemi të kahmotshëm e shohin te ndërtimi i teleferikut të ri nga Tetova deri në Kodrën e Diellit.


Go to TOP