Koalicionet tragjike të LDK-së
(Pse nuk do ta votoj më LDK-në nëse brenda listës së saj vendosen armiqtë më të poshtër të kësaj partie)
Shkruan: Murteza OSDAUTAJ
LDK, për shumë vite, ishte partia ime. Jam munduar për këtë parti, në të gjitha mënyrat, deri në vitin 2013 kur një deputet nga Deçani i cili kurrë s’i ka kontribuuar gjë LDK-së, gati në mënyrë mafioze, arriti që t’i vë në funksion edhe bashkëpunëtorët e mi të ngushtë që të më luftonin e më tradhtonin nga brenda.
U bë e mundur që një person që s’ka bërë kurrë gjë për LDK-në, që vetëm se ka përfituar prej saj pozita e pasuri për vete dhe familjen e tij, me anë të disa leshkove të pa kurriz, ta mundë një fanatik të partisë që ka sakrifikuar para lufte, gjatë luftës dhe pas luftës.
Edhe pse bashkëpunëtorët e mi më tradhtuan, unë nuk u largova nga LDK. Kontribuova në mënyrë tjetër për të. Shkrova për LDK-në dhe propagandova për të mirat dhe vlerën e saj sa herë ishte e mundur.
Po LDK ishte krimbur në kokë. Ardhja e Isa Mustafës dhe klanit të tij të qyqavt, ishte fillimi i rënies së LDK-së, një rënie që nuk po ndalet kurrë. Kjo ndodhi se me Isën filloi shthurja e saj dhe e forcës së saj ideologjike dhe parimore. U futën në parti armiqtë e LDK-së të ORA-s të cilët, sa ishte gjallë Presidenti Rugova, votonin kundër tij dhe ndërmerrnin gjithçka që ta minonin pozitën e tij të liderit të pakontestueshëm (shembulli i kryetarit aktual të Pejës dhe i disa personave tjerë të cilët, falë Isa Mustafës dhe LDK-së u bënë edhe deputetë edhe ambasadorë e konsuj edhe pse në situata kyçe ishin haptas kundër LDK-së dhe lidershipit të saj). Përveç parashutistëve të futur në LDK, përveç profiterëve të LDK-së (disa prej tyre) që të arriturat e tyre politike i arritën duke përdorur emrin dhe gjakun e personave të vrarë të familjeve të tyre, koalicionet me PDK-në, NISMA-n dhe AAK-në do ta gjunjëzojnë partinë përfundimisht.
Sot Abdixhiku doli me lajmin se në listën e LDK-së do ta fusë Fatmir Limajn e NISMA-s dhe shumë të tjerë, armiq të përbetuar të LDK-së që nga viti 1998. Vetëm ta them se, përfaqësuesit e LDK-së në institucionet publike janë keqtrajtuar në mënyrën më të pashtër nga mekanizmat e PDK dhe të partive tjera sa herë që ato ishin në pushtet, edhe kur ishin në koalicion me LDK. Po LDK kurrë nuk lodhej dhe kurrë nuk u kujdes për njerëzit e saj. Kryesisë së saj i interesonin pasuritë dhe resurset e vjedhura nga PDK dhe ndarja e tyre. NISMA dhe Fatmir Limaj, të cilin LDK mëton ta fusë në listën e saj, në vitin 2019, me anë të Ministrit të arsimit nga NISMA-s, me një akt, largoi nga pozitat e tyre të gjithë drejtorët e departamenteve në MASHT vetëm për shkak se i përkisnin, me shumicë, LDK-së. Ndoshta Abdixhiku nuk e di, por këtë akt të shëmtuar nuk arriti ta zhbëj as Ministresha Hikmete Bajrami, pasuese besnike e Isa Mustafës, edhe pse ‘ishte’ nga LDK dhe edhe pse ish zv.kryeministri, Z. Hoti, ia kishte kërkuar decidivisht. Në këtë kohë ministresha koketonte me PDK-në dhe nuk e lodhte kokën për bashkë partiakët e saj të mbetur rrugëve.
Përfundimisht po deklaroj se, nëse në listën e LDK-së futen mbeturinat e PDK dhe të AAK (siç janë Limaj dhe ndonjë person tjetër) të cilët njihen si armiq të LDK-së, unë dhe familja ime nuk do të votojmë për LDK-në dhe do të largohemi prej saj përfundimisht.
Nëse LDK futë në listën e saj persona si Limaj, do të jem njëri nga njerëzit që, individualisht dhe publikisht, do të bëj thirrje që të mos votohet LDK.
Boll e kanë bërë mut!
