KMDLNj: Vdekja e të burgosurit në Pejë tregon mungesën e kujdesit shëndetësor në burgje
Një i dënuar nga Qendra Korrektuese e Dubravës ka ndërruar jetë të hënën, më 15 shtator, në Spitalin Rajonal të Pejës pas komplikimeve shëndetësore, njofton Kosova.info.
Bëhet fjalë për Tasim Zhuniqin, 64 vjeç, i cili po vuante dënimin në Dubravë. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i burgosuri ishte dërguar me urgjencë në spital nga njësia ambulatore e Qendrës Korrektuese, ku ishte trajtuar më parë në kuadër të mundësive ekzistuese mjekësore.
Me vendim të prokurorit, trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, siç parashihet me ligj.
KMDLNj ka rikujtuar se trajtimi shëndetësor i personave të privuar nga liria mbetet problem serioz për shkak të mungesës së një spitali brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës, kapaciteteve të kufizuara profesionale dhe refuzimit të shumicës së kërkesave të gjykatave për ndërprerje të dënimit edhe në rastet me sëmundje të pashërueshme.
Në reagimin e tyre, ata shprehën ngushëllime familjes së të ndjerit dhe kërkuan reflektim institucional për përmirësimin e kushteve shëndetësore në burgje./Kosova.info/
