KMDLNj: Prishtina po mbytet në mbeturina, përgjegjësit të hetohen – qytetarët të dërgojnë plehrat në oborret e institucioneve
Qytetarët e Prishtinës tash e dhjetë ditë po përballen me një situatë alarmante për shkak të mosgrumbullimit të mbeturinave duke e shndërruar kryeqytetin në një deponi të madhe dhe të rrezikshme për shëndetin publik. As kompania “Pastrimi”, e as komuna e Prishtinës nuk po marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi, çka ka krijuar pakënaqësi të madhe dhe frikë për përhapje të ndonjë epidemie.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj kësaj situate duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që ndodh një kolaps i tillë, por duket se askush nga përgjegjësit nuk ka nxjerrë mësim nga dështimet e mëhershme. Sipas KMDLNj-së, mbeturinat e grumbulluara kundërmojnë rëndë, janë shpërndarë nga qentë endacakë – të cilët jo vetëm që janë shtuar në numër, por edhe janë bërë më agresivë – dhe kanë krijuar kushte alarmante për jetesë.
Sipas informacioneve të mbledhura nga KMDLNj, kompania “Pastrimi” pretendon se komuna e Prishtinës i ka borxh rreth 3 milionë euro duke pamundësuar kështu funksionimin e saj operacional. Gjithashtu, është shprehur shqetësimi për të punësuarit në kompani, të cilët druajnë se me ndryshimin e operatorit mund të humbin vendin e punës. Nga ana tjetër, komuna e Prishtinës ka deklaruar se asnjë punëtor nuk do të mbetet pa punë dhe se kontratat për operatorin e ri janë të gatshme për nënshkrim.
KMDLNj ka ngritur dyshime se kjo krizë është rezultat i ndërhyrjeve politike që kanë për qëllim sabotimin e punës së komunës së Prishtinës, siç ka ndodhur – sipas tyre – edhe me projekte të tjera që janë bllokuar nga niveli qendror përmes ministrive dhe instrumentalizimit të Policisë së Kosovës.
Për këtë arsye, KMDLNj bën thirrje për një zgjidhje urgjente, qoftë edhe të përkohshme, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i mëtejmë i gjendjes. Po ashtu, kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetime dhe të identifikojë përgjegjësit për këtë situatë kaotike që po cenon rëndë të drejtat dhe shëndetin e qytetarëve.
Në fund, nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe të qëndrueshme, KMDLNj fton qytetarët që, si formë proteste, të vendosin mbeturinat në oborret e institucioneve përgjegjëse: Qeverisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Pastrimi”.
Megjithatë, KMDLNj u bën thirrje qytetarëve të vazhdojnë të paguajnë rregullisht faturat për mbeturina, në mënyrë që të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave. /Kosova.info/
