KMDLNj: Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni i saj, vendimi për krerët e UÇK-së mund të merret në vjeshtën e vitit 2026
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë duke pretenduar se kjo gjykatë ka devijuar nga qëllimi fillestar i themelimit të saj dhe se po vepron në mënyrë selektive ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sipas KMDLNj-së, gjykata është themeluar në rrethana të presionit të madh politik dhe psikologjik ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa theksohet se një pjesë e madhe e atyre që votuan për themelimin e saj e bënë këtë në emër të mbrojtjes së luftës së UÇK-së dhe interesave shtetërore të Kosovës.
Në reagimin e saj, KMDLNj pretendon se Gjykata Speciale ka cenuar parimet e transparencës, prezumimit të pafajësisë, gjykimit brenda një afati të arsyeshëm dhe respektimit të të drejtave të personave të privuar nga liria. Organizata kritikon gjithashtu refuzimin e vazhdueshëm të kërkesave për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masa më të lehta për të akuzuarit pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Sipas KMDLNj-së, të gjitha nivelet e gjykatës kanë vepruar në favor të institucionit dhe në dëm të të akuzuarve, ndërsa institucionet e Kosovës janë shpërfillur në vazhdimësi.
Në fund të reagimit, KMDLNj vlerëson se periudha më e mundshme për shpalljen e vendimit në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mes muajve shtator dhe nëntor të vitit 2026. /Kosova.info/
