Ajet Potera: Në Vetëvendosje s’ka demokraci, por ka korrupsion njëjtë sikur në partitë e tjera
Ish-kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Ajet Potera, ka kritikuar organizimin politik të Vetëvendosjes, një ditë pas zgjedhjeve të brendshme partiake.
Potera tha se kjo parti nuk dallon nga partitë e tjera të kësaj komune.
Ai tha se edhe në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka demokraci, duke shtuar se ka korrupsion.
Ajet Potera tha se disa gjëra që mungojnë janë shumë të rëndësishme e ndër to, se nuk ka demokraci, ka korrupsion në qeverisje dhe se nuk ka meritokraci njëjtë sikur në partitë e tjera.
Postimi i plotë:
Nga sot Komunën e Podujevës e karakterizon një mendësi e njejtë politike, pa as më të voglin e të vetmin dallim mes partive politike në këtë Komunë!
Për shumë vite radhazi u bë shumë përpjekje nga aktivistët e LVV-së, për të ndryshuar këtë mendësi politike në këtë Komunë (të paktën kështu është dukur), por ja ku përfunduam njejtë me të tjerët.
Disa gjëra shumë të rëndësishme që mungojnë e janë të njejta:
– Nuk ka demokraci të brendshme njejtë sikur në partitë e tjera.
– Ka korrupsion në qeverisje njejtë sikur në partinë e mëparshme.
– Kualicion me partinë e PAN-it që Lëvizja është ngritur duke e kritikuar shumë ashpër.
– Nuk ka meritokraci njejtë sikur në partitë e tjera.
– Është mbytur zëri kritik dhe është vendosur pushtet absolut.
– Mungon llogaridhënia e transparenca njejtë sikur në partitë e tjera etj.
Andaj kjo Komunë nuk ka njëherë parti politike e politikëbërje me mendësi më ndryshe! …por me sa duket strukturave organizative politike të kësaj “komune” nuk po i duhet mendësi politike tjetër, janë mëse të mjaftueshëm e të kënaqur!
Por a janë të kënaqur qytetarët e kësaj Komune?
“E verteta asnjehere nuk e demton kauzen e drejte” M. Gandhi.
