Kosova

Kosova përfaqësohet me atashe ushtarakë veç në 7 shtete, MPJ planifikon rritjen e numrit

Kosova aktualisht përfaqësohet me atashe ushtarakë në vetëm shtatë shtete në botë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se janë në koordinim me Ministrinë e Mbrojtjes për të gjetur formën më të mirë të zgjerimit të rrjetit të atasheve të mbrojtjes. Njohës të fushës së mbrojtjes dhe sigurisë vlerësojnë se Kosova duhet të jetë e përfaqësuar me atashe ushtarakë në të gjitha vendet anëtare të NATO-s me të cilat ka marrëveshje bilaterale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Turqia, Kroacia dhe Shqipëria janë shtetet ku Kosova ka të dërguar atashe të mbrojtjes.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se janë duke shikuar edhe për rritjen e numrit të marrëveshjeve SOFA.

“Ne jemi në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes, me ministrin Mehaj dhe kabinetin e tij, që ta shohim formën më të mirë të zgjerimit të këtij rrjeti të atasheve të mbrojtjes, por gjithashtu edhe rritjen e numrit të marrëveshjeve SOFA, sepse kjo është e rëndësishme edhe për vetë ngritjen e ushtrisë sonë dhe përgatitjen e saj, por gjithashtu edhe në kuptimin diplomatik ka efekte të mira… Në kuptimin diplomatik, ka gjithsesi efekt të mirë dhe në synimin tonë për përafrim me NATO-n e që hapi i parë dhe besojmë qe duhet të ndodhë shpejt është përfshirja në Programin e Partneritetit për Paqe”, thotë Ahmeti.

Nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Enver Dugolli thotë se Kosova mund të aplikojë modelin e atasheve, të cilët sipas tij mund të mbulojnë disa shtete njëkohësisht.

“Ekzistojnë praktika të ndryshme në diplomacinë ushtarake, edhe shtetet që janë goxha të zhvilluara me ekonomi të madhe e të fuqishme e aplikojnë këtë formë të diplomacisë ushtarake. Jo në çdo shtet kanë atashe të mbrojtjes. Ata në një shtet kanë atashe të mbrojtjes rezident, ndërsa jo rezident mbulon shtete përreth, dy- tri shtete. Mendoj se edhe kjo është formë e aplikuar prej shteteve të tjera dhe ne do të zbatojmë edhe në praktikë me atashe ushtarakë të mbrojtjes, që të mbulojnë edhe shtetet që nuk kemi atashe rezident”, thotë Dugolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila qeveris me vendin, thotë se diplomacia është prioritet dhe nevojë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas tij qeveria po i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve bilaterale me shtetet anëtare të NATO-s.

Dugolli thotë se në këtë mënyrë po kompensohet mungesa e atasheve meqë sipas tij buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë të ketë atashe të mbrojtjes në çdo shtet, i cili e ka njohur Kosovën.

Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi e cila është pjese e Komisionit për Punë të Jashtme, thotë se duhet të ketë atashe ushtarakë në të gjitha qendrat me rëndësi.

“Do të ishte mirë që pothuajse në të gjitha qendrat me rëndësi te shteteve anëtare dhe shteteve tjera të cilat kanë rëndësi strategjike të kemi atashe ushtarakë. Posaçërisht Misioni për NATO si mision bërthamë pararendës para anëtarësimit, përpos ambasadorit dhe dy diplomatëve në grada më të ulëta, duhet të kenë urgjentisht edhe një ushtarak, së paku në gradën Gjeneral Brigade dhe një ose dy oficer me grada me të ulëta ushtarake. Atasheu në Belgjikë pritet të akreditohet nga shteti belg, por është jo relevant për NATO-n. Ky do të mund të shërbente në këtë fazë si ndërlidhës mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, thotë Musliu-Shoshi në një përgjigje me shkrim.

Xhavit Gashit, atasheu i parë ushtarak i Kosovës, thotë se numri i këtyre të dërguarve duhet të rritet, por edhe vëmendja në cilësinë e tyre.

Gashi, i cili ka shërbyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga viti 2011 deri më 2016, thotë se prioritet duhet të jenë oficerët e përgatitur me grada madhore në ato vende ku Kosova ka bashkëpunim më të madh ushtarak.

“Gjithsesi unë mendoj së duhet të rritet numri por të vazhdohet edhe me rritjen e vëmendjes në cilësinë e atasheve ushtarak. Duke kuptuar koston që bartin me vete këto funksione të diplomacisë ushtarake, unë do të rekomandoja që Kosova të jetë e përfaqësuar me atashe ushtarak në të gjitha vendet anëtare të NATO-s me të cilat ne kemi marrëveshje bilaterale. Gjithsesi, prioritet të jenë oficerë më të përgatitur dhe me grada madhore në ato vende ku Kosova ka bashkëpunim më të madh ushtarak, por edhe duke konsideruar peshën e veçantë që kanë shtetet në vendimmarrje në mbështetje të rrugëtimit të Kosovës në NATO përmes Partneritetit për Paqe”, thotë Gashi.

Republika e Kosovës ka mbi 60 ambasada dhe konsullata në vende të ndryshme të botës. Kosova është duke synuar përfshirjen në Partneritetin për Paqe ndërsa krerët e shtetit vazhdimisht deklarojnë se vendi duhet të anëtarësohet sa më parë në NATO.

Shfaq më shumë
Back to top button
escort mersin - izmir escort