Postimi për ish-këshilltarin e Kurtit po vazhdon t’i shkaktojë Jakup Krasniqit probleme në Hagë

Edhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënës i UÇK-së është ankuar në Apel në lidhje me refuzimin e lirimit nga paraburgimi, vendim ky i marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake para disa ditësh.
Gjyqtari paraprak i cili refuzoi lirimin e Krasniqit po vazhdon të marrë si provë mbështetëse një postim të Jakup Krasniqit për ish-këshilltarin e kryeministrit Kurti, Shkelzen Gashi, në lidhje me një deklaratë të këtij të fundit ku thoshte se pjesëtarë të UÇK-së, kanë kryer krime lufte.

Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra në një parashtresë të cilën e ka parë lajmi.net, ka kundërshtuar këtë formë veprimi të prokurorisë dhe gjykatës, duke e cilësuar atë si argument të pamjaftueshëm për t’ia vazhduar paraburgimin ish-zëdhënësit të UÇK-së.

“Në rastin konkret të z. Krasniqi, rreziqet e identifikuara, të cilat duhet të peshohen kundrejt kushteve shtesë, janë relativisht të ulëta. Të vetmet konstatime në të cilat gjyqtari i procedurës paraprake është mbështetur për të vërtetuar rrezikun që buron nga vetë z. Krasniqi, janë se ai ka pasur pozitë ndikimi, ka bërë deklarata publike kritike ndaj GJP-së, ka bërë një postim në Facebook ku përdor fjalën. “kolaboracionist” në prill 2020. .Në të vërtetë, vlen të përsëritet se z. Krasniqi është një politikan 71-vjeçar i pensionuar, i cili asnjëherë nuk është dënuar për ndonjë vepër penale apo akuzuar për pengim të proceseve të kësaj – apo të ndonjë gjykate. Ai u thirr si dëshmitar nga Prokuroria në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (“ICTY”) dhe dëshmia e tij u pranua nga Dhoma Gjyqësore në të dyja rastet. Në këto rrethana, rreziku i gjetur nga gjyqtari i procedurës paraprake nga këta faktorë mund të jetë vetëm në fundin e poshtëm të spektrit të përgjithshëm të rrezikut”, ka thënë avokatja Alagendra.

Me këtë rast, Alagendra ka ftuar Apelin që të shfuqizojë Krasniqin dhe të urdhërojë lirimin e tij.

“Mbrojtja fton Dhomën e Apelit që ta shfuqizojë Vendimin e kundërshtuar dhe të konstatojë se nuk ka ndonjë arsyetim specifik të bazuar në prova për të justifikuar rrezikun e vazhdueshëm të z. Krasniqi që të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Gjykatës ose të kryejë krime të mëtejshme në dritën e kushteve të propozuara dhe Kushtet Shtesë”, ka thënë ajo.

Avokatja ka thënë gjithashtu se Krasniqi është i gatshëm të pranojë çfarëdo kushti të propozuar nga gjyqtari paraprak për lirimin e tij.

Më poshtë ndërkaq keni postimin e Jakup Krasniqit për Shkelzen Gashin i cili ende po përdoret si argument nga Specialja:

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

ME PAK FJALË

Disa shqipfolës kur i dëgjon e i sheh se si e çka flasin, nuk ka si mos të të vije keq për cektësinë e mendimit që shfaqin në publik, ndoshta nuk është edhe faji i tyre, flasin aq sa edhe dinë. Disa njerëz, kur flasin e shkruajnë për shekujt e robërisë apo për pak vitet e Lirisë, tërë mllefin e tyre e shfryjnë ndaj kontribuuesve të Lirisë e të Lavdisë, kuptohet në krahasim me shekujt e shumët të robërisë!

Edhe sot në medie tona, pretenduesit e majave shtetërore apo ata që janë ngritur në majat shtetërore e bëjnë të njëjtën gjë, sikur vërtet nuk kanë probleme të tjera për rreth tyre, por problemet i kërkojnë dhe i shohin vetëm e vetëm brenda përbrenda kombit e shtetit apo shteteve që i krijuan të virtytshmit e kombit. Mbase edhe nuk kanë faj pasi lloji i njerëzve që kurrë atdheut e kombit nuk ia bënë ndonjë argat për të qenë, kaq shohin e kaq dinë, mbase edhe kaq bëjnë! Të paditurve edhe nuk duhet tua zëmë për të madhe! Kur heshtin të urtët e virtytshëm, axhamive u falet hapësira e veprimit!

Është në natyrën e njeriut të flet atë që dinë! Ndërsa, koha i kërkon ata që dinë dhe kanë integritet në qëndrime e vendimet që koha i kërkon të merren. A koha e jonë i kërkon njerëzit e virtytshëm e me integritet të lartë!

E gjithë historia e jonë e lavdishme na tregon se: Integritetin njerëzit e virtytshëm e tregojnë në kohë të vështira!

Si përfundim: Në vitin 2010, Raportin e Dick Martin e kam quajtur -Raport racist. Çdo shqiptar që D. Martin e quan PATRIOT, qoftë në shërbim të Kryeministrit apo kudo tjetër, është kolaboracionist e në shërbim të politikave gjenocidiste të Millosheviqit!

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

Go to TOP