Kica-Xhelili: Ligji për Qeverinë dëshmon amatorizmin e ekzekutivit të Kurtit

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka kritikuar ashpër Ligjin për Qeverinë duke e cilësuar si një dokument të hartuar keq, kontradiktor dhe që ngatërron më shumë sesa zgjidh. Sipas saj, neni 26 dhe neni 29 janë në kundërshtim mes vete duke krijuar paqartësi për rastet e dorëheqjes së anëtarëve të Qeverisë që zgjidhen deputetë.

Në një analizë të detajuar, Kica-Xhelili ka theksuar se neni 26 kërkon që një ministër i zgjedhur deputet të japë dorëheqje para certifikimit, ndërsa neni 29 liston rastet kur përfundon mandati i qeverisë duke përjashtuar dorëheqjen si detyrim të qartë. Ajo ka vënë në pah se këto paqartësi ligjore pasqyrojnë qasjen amatoreske të Qeverisë Kurti në hartimin e ligjeve.

Deputetja e opozitës ka akuzuar Kryeministrin Kurti për shpërfillje të Kushtetutës dhe ligjeve duke argumentuar se ai refuzon të dorëhiqet, jo për shkak të paqartësive ligjore, por për të shmangur perceptimin e dobësisë politike. “Ai po e ushqen në mënyrë fiktive idenë e të fuqishmit, sepse e kupton saktë sa i dobët është,” ka theksuar ajo.

Sipas Kica-Xhelilit, qeverisja e Kurtit është një kombinim i amatorizmit dhe arrogancës, ku simbolet kanë më shumë rëndësi se përmbajtja dhe zbatimi i ligjit. /Kosova.info/


Go to TOP