Këshilltarja e presidentes Osmani i kërkon falje publike Ganimete Musliut

Rejhan Vuniqi, këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani dhe njëherit ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, ka shkruar se i ka kërkuar falje Ganimete Musliut, pasi ka parë lajmin se ka pëlqyer një ‘meme’ ku bullizohet kjo e fundit.

Vuniqi shkruan se e ka kuptuar se ka pëlqyer një postim të tillë ofendues pasi ka parë raportimet që janë bërë në media.

Ajo thotë se pëlqimi ishte aksidental dhe i paqëllimshëm.

“Dhuna në të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe politikën, është krejtësisht e papranueshme e në veçanti dhuna ndaj grave. Personalisht kam qenë cak i sulmeve të tilla dhe vazhdimisht kam avokuar e jam deklaruar kundër këtij fenomeni të patolerueshëm.”

“Sot, përmes një artikulli, kuptova se rastësisht kisha pëlqyer një postim në Instagram, i cili shpërfaqte gjuhë të papranueshme kundër një deputeteje të parlamentit tonë. Dua të sqaroj menjëherë se ky pëlqim ishte aksidental dhe kurrsesi i qëllimshëm, ndërsa besoj se përdoruesit e këtij rrjeti social mund ta kuptojnë më së miri një situatë të tillë. Sapo e kam parë lajmin, menjëherë e kam telefonuar deputeten Ganimete Musliu dhe i kam kërkuar falje për këtë veprim aspak të qëllimshëm”, shkruan ajo në Facebook.

Rejhan Vuniqi kishte pëlqyer një ‘meme’ në Instagram, në komentin e së cilës përdorej një gjuhë tejet e ulët dhe ofenduese.

Ndaj këtij veprimi kishte reaguar deputetja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi përmes një postimi në Facebook.

“Të mbështesësh ofendimet publike që i bëhen një gruaje është gjesti më i ulët njerëzor. Kur kjo mbështetje vije nga një grua që mbajti pozitën e zv. Ministres së Punëve të Jashtme ndërsa sot mbanë pozitën e këshilltarës së Presidentës, atëherë nuk kemi të bëjmë më me nje gjest, por kemi të bëjmë me një kampanjë të orkestruar. Kemi të bëjmë me përndjekje puro politike.”

“Prandaj ne, gratë dhe vajzat e këtij vendi duhet t‘i themi STOP kësaj qasjeje. Znj. Vuniqi sot duhet të kërkon publikisht falje. Jo vetëm Ganimete Musliut, por të gjitha grave dhe vajzave të Kosovës”, shkroi ajo.

Go to TOP