Këshilltari i Pacollit i reagon MPJ-së

Pasi Ministria e Punëve të Jashtme i bëri thirrje ish-presidentit Behgjet Pacollit që të përmbahet nga deklarimet publike, pasi mund të cenojnë procesin e bisedimeve për sjelljen e njohjeve të reja për Kosovën, kanë reaguar nga Aleanca e re e Kosovës.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zymberi tha se ish-kryediplomati është shumë bashkëpunues me institucionet e vendit, dhe se çdo veprim i tij është në përputhje me rregullat që nuk e vënë në rrezik procesin e bisedimeve.

“Zoti Pacolli është njëri ndër personalitetet publike që ka dhënë më së shumti kontribut në afirmimin e shtetësisë së Kosovës dhe natyrisht një gjë të tillë vazhdon ta bëjë në secilin kapacitet, qoftë politik institucional ose shoqëror. Në këtë rast ashtu si edhe në të kaluarën, zoti Pacolli ka dëshmuar se është partner me secilin akter institucional kur është në pyetje interesi i vendit, andaj është i rëndësishëm koordinimi. Zoti Pacolli secilin proces në këtë drejtim e vendos ne binarët e funksionimit të mirëfilltë”.

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kurti nuk i është përgjigjur për një njohje që ai e ka siguruar.

Pacolli tha se ai ia ka dërguar letrën dhe mesazhin e presidentit të atij shteti (që Pacolli e lë anonim) ku konfirmohet se është i gatshëm të vijë javën e ardhshme të kryejnë formalitetet e njohjes.

“Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për të kryer formalitetet e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj evtl në këtë shtet“, ka shkruar Pacolli.

Gjithçka është e rregulluar, zotni Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj“, ka shkruar ai.

Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar të japë informacione në lidhje me njohjen që e ka paralajmëruar ish-kryediplomati, Behgjet Pacolli. Arsyeja e refuzimit ishte se mund të rrezikohet procesi nga rrjedhja e informacionit.

MPJ i ka bërë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga çdo lloj veprimi që i cenon proceset e tilla.

“Nuk japim informacione lidhur me këtë temë. As në rastin konkret, e as në raste të ngjashme, ku rrjedhja e informacionit e rrezikon seriozisht procesin. Iu bëjmë thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo lloj veprimi që mund të cenojë proceset e tilla të brishta”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Go to TOP