Këshilli Prokurorial para “gjyqit”, pas kritikave shefi i BE’së e takon Kryesuesin Maloku

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka takuar kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Malokun. Një ditë pasi ambasadori i BE-së në Kosovë kritikoi KPK-në për procesin e votimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

Szunyog njoftoi përmes Twitterit se me Malokun u pajtuan që të shtojnë bashkëpunimin për të sjellë drejtësi për njerëzit në Kosovë.

“Pas seancës së djeshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, sot jam takuar me kryetarin e KPK-së,  Jetish Maloku, për të diskutuar mbi performancën e sistemit prokurorial. Ne ramë dakord të intensifikojmë bashkëpunimin tonë që synon të japë drejtësi për njerëzit e Kosovës në mënyrë efikase dhe të paanshme”, ka shkruar Shefi i BE-së.

Dje, Shefi i BE’së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i zhgënjyer nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një reagim në Twitter, Szunyog ka shkruar se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, por se kjo nuk ndodhi.

“Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Europian për të siguruar një zgjedhje të drejtë transparente dhe të bazuar në merita për Kryeprokuror të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin e përzgjedhjes duke shpërfillë këto parime. Jemi të habitur dhe të zhgënjyer me këto veprime të KPK-së”, ka shkruar ai.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit, i cili është propozuar për dekretim tek presidentja.

Go to TOP