KESCO paralajmëron qytetarët për SMS mashtruese: Paguani faturat vetëm në kanalet zyrtare

Kompania KESCO ka reaguar pas qarkullimit të një mesazhi mashtrues (SMS SCAM) që po dërgohet te konsumatorët me pretendimin se kanë vonesa në pagesat e energjisë elektrike dhe se rrezikojnë shkëputjen e energjisë brenda 24 orëve, nëse nuk kryhet pagesa në një link të bashkëngjitur.

Në njoftimin zyrtar, KESCO thekson se nuk ka asnjë lidhje me këtë mesazh dhe u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve, duke theksuar se pagesat duhet të kryhen vetëm përmes kanaleve zyrtare si: aplikacioni eKesco; platforma eKosova; arkat në qendrat e KESCO dhe bankat dhe institucionet mikrofinanciare të autorizuara.

“KESCO do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj personave përgjegjës për këtë mashtrim dhe kërkojmë nga qytetarët të lajmërojnë çdo mesazh të dyshimtë në Policinë e Kosovës,” thuhet në reagimin e kompanisë.

Qytetarët që kanë dyshime për ndonjë mesazh të pranuar, mund të kontaktojnë këshilltarët e shërbimit për konsumatorë nëpërmjet kanaleve zyrtare të KESCO. /Kosova.info/


Go to TOP